Vitin e kaluar zjarret i shkatërruan pyjet e Maqedonisë, por edhe për hajdutët e drunjve ka pasur më shumë punë (Infografik)

Pyjet e Maqedonisë vitin e kaluar kanë pësuar dëme katastrofike, me ç’rast të dhënat më të reja të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) tregojnë se shkatërrimi i pyjeve vitin e kaluar nuk është shkaktuar vetëm nga zjarret, por edhe nga prerjet ilegale të drunjve, si dhe nga fatkeqësitë natyrore dhe dëmtimet e pyjeve që i kanë shkaktuar insektet, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Siç tashmë ka shkruar disa herë Meta.mk, në zjarret pyjore të vitit të kaluar në Maqedoni kanë pësuar hapësira pyjore me sipërfaqe prej 11.420 hektarësh. Në periudhë prej vetëm katër muaj, zjarret pyjore kanë shkaktuar dëme materiale që vlerësohen në mbi 37,6 milionë euro. Bilanci famëkeq i vitit të kaluar është sipërfaqja më e madhe pyjore e prekur nga zjarret në dekadën e fundit. Zjarre më të mëdha ka pasur vetëm në vitin 2012, kur në zjarret pyjore janë djegur 19.312 hektarë me drunj të mbjellur dhe vegjetacion tjetër në vend.

Infografik pyje te shkatërruara, Foto: Meta.mk

Megjithatë, të dhënat e ESHS-së për vitin 2021 tregojnë se prerjet e paligjshme të drunjve janë rritur krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar, hajdutët e drunjve kanë arritur të presin në mënyrë të paligjshme 29.800 metra kub drunj, që është për mbi 10.000 metra kub më shumë se në vitin 2020.

Infografik prerje e paligjshme e drunjve, Foto: Meta.mk

Vitin e kaluar ka pasur rritje të shkatërrimit të pyjeve dhe për arsye të tjera në krahasim me vitin 2020. Prandaj, si pasojë e dëmeve nga insektet, vitin e kaluar janë shkatërruar 2.434 metër kub drunj. Gjithashtu, 3.102 metra kub drunj janë dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore.

Sipërfaqja e tokës pyjore po rritet, vëllimi i pyllëzimit po zvogëlohet

Të dhënat statistikore tregojnë se vitin e kaluar ka pasur sipërfaqe rekord të tokave pyjore, si asnjë vit më parë. Toka pyjore është shtrirë në një sipërfaqe prej 1.159.926 hektarësh, nga të cilat pyjet kishin një sipërfaqe rekord prej 1.049.300 hektarësh, ndërsa pjesa tjetër ishte tokë tjetër pyjore dhe tokë e pafrytshme. Pjesa e pyjeve që janë në pronësi të shtetit, vitin e kaluar mbuluan 907.255 hektarë, që është rënie minimale krahasuar me vitin 2020. Pjesa më e madhe e pasurisë pyjore është e mbjellë me drunj gjetherënës.

Edhe krahas shkatërrimit të madh të sipërfaqeve pyjore nga zjarret, vitin e kaluar ka pasur rezultate modeste në fushën e pyllëzimit të sipërfaqeve të reja. Në vitin 2021 janë pyllëzuar vetëm 338 hektarë, që paraqet rënie në krahasim me vitin 2020, kur janë pyllëzuar 569 hektarë. Me kalimin e viteve rënia e sipërfaqeve të reja të pyllëzuara është e dukshme.

Madje, të dhënat e ESHS-së tregojnë se gjatë pyllëzimit të vitit të kaluar janë mbjellë 212.430 fidanë klasikë, 382.807 fidanë të kontejnerëve, si dhe janë përdorur 399 kilogramë farë.

Kundrejt kësaj, në vitin 2021, masa e përgjithshme bruto e prerjes së drurit në vend ishte 700.136 metra kub dru, krahasuar me 734.848 metra kub që ishte prerë në vitin 2020. Pjesa më e madhe e drurit të prerë është nga pyjet shtetërore – 513.651 metër kub, ndërsa vitin e kaluar dominoi prerja e drurëve gjetherënës me 620.847 metër kub të prerë.

Me bilancin e këtillë negativ të pyjeve të shkatërruara vitin e kaluar, mbetet ende për t’u llogaritur ndikimi që shkaktoi në ndryshimet klimatike, pra sa emetim të gazrave serrë shkaktuan zjarret e pyjeve të vitit të kaluar. Në vitin 2000, kur zjarret kapluan zona të mëdha të pyllëzuara, emetimet e gazrave serrë arritën vlera rekord prej 10,441.1 gigagram ekuivalente të dyoksidit të karbonit.

Kujtojmë se është pikërisht sektori i Pylltarisë ai që lidhet më së ngushti me ndikimin në ndryshimet klimatike. Kur ka zjarre të mëdha në pyje dhe dëmtime të tjera në pyje, shkatërrimi i tillë ndikon në rritjen e drejtpërdrejtë të emetimeve të gazrave serrë në atmosferë. Në të kundërt, mbrojtja e drejtpërdrejtë e pyjeve dhe parandalimi i zjarreve në pyje, së bashku me pyllëzimin, nënkupton një numër më të madh të drunjve të shëndetshme që i thithin gazrat serrë në atmosferë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e efekteve të ndryshimeve klimatike tek ne, por edhe në botë.

Në nivel lokal, parandalimi i shkatërrimit të pyjeve çon edhe deri në mbrojtjen nga erozioni i tokës dhe dëmtimet materiale gjatë fatkeqësive atmosferike, por mundëson edhe realizimin e prerjeve të kontrolluara, të planifikuara për furnizim të besueshëm me drunj për ngrohje për amvisëritë në sezonin e ngrohjes. Në Maqedoni, shumica më e madhe e amvisërive gjatë muajve të dimrit shtëpitë e tyre i ngrohin me stufa druri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button