Ministria e Mbrojtjes konfirmoi: Maqedonia e Veriut i dhuroi tanke Ukrainës
Maqedonia e Veriut po i dhuron tanke Ukrainës, e cila ka kërkuar prej partnerëve perëndimorë dhe NATO-s t’i ndihmojnë me pajisje ushtarake. Informacionin për donacion e konfirmojnë edhe nga Ministria e Mbrojtjes (MM), ku 360 gradë dërgoi pyetje pasi në rrjetet sociale u shfaqën video në të cilat mund të shihet se po transportohen tanke, transmeton Portalb.mk.
Nga Ministria e Mbrojtjes venë në pah se, në përputhje me vendimet e qeverisë, në disa raste Ukrainës i janë dhuruar pajisje ushtarake dhe se kjo është bërë në koordinim me aleatët, ndërsa ritheksojnë se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s e respekton integritetin territorial, sovranitetin dhe të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje, si dhe se e dënon ashpër agresionin rus.
Sipas përgjigjes, donacioni i fundit, transporti i të cilit u shfaq video në rrjetet sociale, përbëhet nga tanke që janë pjesë e batalionit të tankeve të Armatës që është planifikuar të shpërbëhet. Nga Ministria e Mbrojtjes thonë se bëhet fjalë për “tanke të gjeneratës së tretë të cilat me zhvillimin e teknologjisë, brenda nji kohe të shkurtë, do të ishin jo konkurruese dhe të papajtueshme me kërkesat tona për furnizimin e platformës perëndimore”. Gjithashtu, shtojnë nga Ministria e Mbrojtjes, në periudhën e ardhshme do të duhej të shpenzoheshin edhe burime për asgjësimin e tyre, që është një aktivitet i papërshtatshëm për Armatën tonë.
“Dëshirojmë të theksojmë se në bazë të analizave të bëra, rekomandimeve dhe planeve të miratuara për pajisjen e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në periudhën e ardhshme do të bëhet transformimi, përkatësisht shpërbërja e batalionit të tankeve dhe në Armatë do të fillojë ngritja e kapaciteteve moderne dhe bashkëkohore anti-blind dhe realizimi i këtyre planeve tashmë është duke u zhvilluar. Gjithashtu, sipas Planit Afatgjatë për Zhvillimin e Aftësive Mbrojtëse 2019-2028. thuhet se nuk do të investohen fonde shtesë për modernizimin dhe pajisjen e kapaciteteve të tankeve. Duke marrë parasysh këtë situatë faktike, si dhe kërkesat e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Qeveria mori vendim për t’i dhuruar Ukrainës një sasi të caktuar të këtyre kapaciteteve që janë të domosdoshme për nevojat e tyre”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Në lidhje me modernizimin e Armatës dhe blerjen e pajisjeve të reja, Ministria rikujton se tashmë është duke u zbatuar projekti “Blerja e mjeteve të blinduara të lehta me rrota”, i cili po zbatohet në përputhje me marrëveshjen e nënshkruan qeveritë e SHBA dhe Maqedonia e Veriut në vitin 2019. Dhe pikërisht në kuadër të këtij projekti, pesë ditë më parë në portin e Selanikut për Armatën tonë arritën gjashtë mjetet e para të blinduara të lehta “JLTV”.