Pas 17 vitesh, Maqedonia e Veriut e filloi procesin e bisedimeve me BE-në

Sot në Bruksel pas 17 vitesh status rekomandimesh për fillimin e negociatave, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në gjuhën maqedonase e lexoi fjalën hyrëse, ndërsa pasdite do të fillojë procesi i skriningut, i cili do të zgjasë një vit e gjysmë. Pas përfundimit të skriningut, është planifikuar Konferenca e dytë ndërqeveritare, në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave, por mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski u shpreh i kënaqur që pas 17 vitesh pritje, vendi do të fillojë negociatat.

“Propozimin evropian që morëm, përmes një procesi të gjerë konsultimi, e njohëm si zgjidhjen më të mirë të mundshme, e cila respekton dhe ruan vijat e kuqe nga disa aspekte, dhe në të njëjtën kohë i jep fillimin përfundimtar e negociatave. E rëndësishme për ne, është se është specifikuar gjuha maqedonase pa asnjë shtesë, sqarim dhe plotësim. Kjo hap dyert që gjuha jonë maqedonase të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së, që unë personalisht e konsideroj arritjen më të madhe dhe suksesin më të rëndësishëm. Në këtë mënyrë gjuha maqedonase jo vetëm që do të mbrohet, por do të ketë edhe një promovim të jashtëzakonshëm, pasi shumë vende dhe kultura, të cilat tradicionalisht nuk kanë kontakt me gjuhën tonë, do të mund ta njohin atë”, tha Kovaçevski.

This slideshow requires JavaScript.

Presidenti i Këshillit të BE-së me rastin e konferencave të përbashkëta ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së si dhe Shqipërisë dhe BE-së u shpreh se kjo është një ditë historike për të dy vendet si dhe një kohë për të festuar atë që është arritur, por edhe një kohë për të parë sfidat përpara me një objektiv të qartë: të përparojmë në rrugën drejt BE-së pa vonesë.

“Sot më në fund kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara në hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Konferencat ndërqeveritare në nivel ministror u mbajtën në Bruksel për të zbatuar vendimin e Këshillit Evropian të marsit 2020 për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Përgëzoj autoritetet dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për këtë arritje të shumëpritur”, u shpreh Michel.

Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Josep Borrell, tha se Maqedonia po fillon Negociatat me identitet të plotë dhe të pacënueshëm, ku gjuha dhe identiteti mbeten të mbrojtura.

“Nuk do ta humbisni identitetin tuaj në rrugën drejt BE-së. Askush nuk e humbi. Nuk duhen konkluzione për ta ditur këtë. Identiteti juaj do të mbetet dhe do të rritet e plotësohet me identitete të tjera që nuk janë alternative por plotësuese. Çdo qenie njerëzore ka disa identitete që janë gjithmonë të pajtueshme dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot. Ne kemi nevoje për Maqedoninë, e poashtu kemi nevojë që Maqedonia e Veriut të plotësojë identitetin tonë kompleks, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin sepse së bashku jemi më të fortë”, tha Josep Borrell.

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varheji, në seancën e sotme ndërqeveritare në Bruksel tha se dita e sotme nuk është e rëndësishme vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Bashkimin Evropian. Ai theksoi se votimi i së shtunës në Kuvend ishte një hap vendimtar dhe dëshmi e vendosmërisë për të vazhduar drejt BE-së, por edhe dëshmi e vendimmarrjes demokratike. Konferenca e sotme, sipas Varhejit, është njohje e merituar e progresit të Maqedonisë së Veriut, të arritur përmes reformave në vitet e kaluara.

“Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë të gjitha kushtet, të vazhdojë me reformat e brendshme, forcimin e institucioneve demokratike. Keni shoqëri civile të larmishme, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit është për çdo lëvdatë dhe jeni model i suksesshëm për një shoqëri multietnike dhe prandaj meritoni të ecni përpara me procesin e anëtarësimit. Është thelbësore që Maqedonia e Veriut të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi, të ndryshojë Kushtetutën për të avancuar më tej të drejtat themelore, fundamentale dhe me këtë do të mbajmë një konferencë tjetër pa vonesa të mëtejshme dhe as vendime politike”, tha Varhey.

Ambadadori evropian në Maqedoni David Geer, në Twitter shkroi se sot është vërtet një ditë historike në marrëdhënie Maqedoni-BE

“Fillimi i procesit të negociatave për anëtarësim në BE është rezultat i punës së palodhur të shumë njerëzve të përkushtuar ndaj së ardhmes së Maqedonisë në BE”, shkroi Geer.

Këshilli i BE-së mbrëmë, ndërkohë, dha dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, njoftoi Presidenca çeke e BE-së.

Ambasadorët e vendeve anëtare ranë dakord për kornizat e negociatave për dy vendet, duke krijuar kështu kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare të anëtarësimit, e cila do të mbahet sot në Bruksel.

Në atë konferencë do të shpallen të hapura negociatat me të dy vendet, pasuar nga i ashtuquajturi proces skrining, një analizë e thellë e legjislacionit të dy vendeve dhe shkallës së përputhshmërisë së tyre me legjislacionin evropian.

“Këshilli i BE-së sapo dha pëlqimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Ky është një sukses i madh i presidencës sonë”, shkroi në Twitter kryeministri çek Petr Fiala.

Maqedonia është kandidate për anëtarësim në BE për 17 vjet. Hapja e negociatave me vendin tonë fillimisht u bllokua nga Greqia dhe bllokada u hoq vetëm pasi vendi pranoi të ndryshonte emrin nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut, gjë që na lejoi të hyjmë në NATO.

Pas heqjes së bllokadës greke, Bullgaria u shfaq me kërkesat e saj që vënë në dyshim identitetin dhe gjuhën kombëtare maqedonase.

Maqedonia e Veriut pranoi propozimin e Francës, e cila kryesoi Këshillin e BE-së në gjysmën e parë të vitit. Propozimi u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila njoftoi se nuk do të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës për të përfshirë pakicën kombëtare bullgare. Ndryshimi i Kushtetutës kërkon një shumicë prej dy të tretash, të cilën koalicioni qeverisës nuk e ka pa deputetë të opozitës.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Osmani dhe Teodora Gençovska, nënshkruan dje në Sofje protokollin dypalësh. Atij i ka paraprirë një mbledhje e komisionit ndërqeveritar.

Pas kthimit nga Sofja, Osmani prezantoi protokollin bilateral në një konferencë për media. Ai tha se i gjithë protokolli është i ndërsjellë dhe se të gjitha angazhimet për historinë vijnë vetëm pasi të kenë rënë dakord historianët në Komisionin e përbashkët historik.

Ministritë e Jashtme të dy vendeve kanë publikuar mbrëmjen e djeshme njëkohësisht dokumentin që kanë firmosur krerët e shteteve.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickoski, dje në një intervistë televizive ka deklaruar se do të kërkojë mbajtjen e referendumit për ndryshimet kushtetuese. Ai do t’i propozojë Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së që të nis iniciativën për mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve për mbajtjen e referendumit.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Komentet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button