Ninulla ballkanike (I)

Miopi sociologjike, porosi etike

Shkrimi ynë i radhës është i sferës së sociologjisë së filmit. Ai vë nën llupë tre pjesët e para të një serie që thuajse një muaj emetohet nga kanali shtetëror turk (TRT1) dhe që si temë kryesore ka Ballkanin, gjegjësisht Shkupin. Pra ky artikull hyn në kategorinë e analizës së filmit si aktivitet rutinor i zbavitjes, si një formë e argëtimit familjar (Kuisel, 2000: 127) që prodhon kuptime sociale (social meanings). Sociologjia e filmit merret me rolin e kinemasë të cilën E. Morin (1972: 7) e ka identifikuar me fantazitë e lira që shërbejnë për të tëhuajësuar masat e pafajshme. Kinemaja apo filmi është cilësuar edhe si mall i përvojës (experience goods), si formë madhore kulturore bashkëkohore që ndikon, pasqyron dhe formëson vlerat dhe besimet sociale. Sociologjia kinematografike trajton filmat dhe kinemanë si “art mesatar” (middlebrow art) me metoda sociologjike dhe kriticiste. Përgjatë historisë shumë sociologë e kanë parashtruar pyetjen në vijim: Si mund të shfrytëzohet kinemaja për të kuptuar shoqërinë? Të shikuarit e një filmi është bërë një ngjarje e rëndësishme meqë përvoja e tij ndikon tek ne emocionalisht, psikologjikisht dhe pedagogjikisht. Filmi është një ripërkthim imagjinar i një formacioni të veçantë ose i një periudhe historike specifike (Do Nascimento, 2019: 25). Faktet flasin se më tepër studime mbi filmin kanë realizuar sociologët se sa specialistët e filmave, kryesisht nga shkaku se shumica prej tyre janë ndërmarrë para se dega “studime filmike” të shfaqet si një disiplinë e veçantë.

Nga vitet e hershme 1910 sociologët akademikë kanë shfaqur interes lidhur me publikun dhe përbërjen e tij, kurse me kërkime gjithnjë e më të sofistikuara të audiencës kanë filluar të merre gjatë kulminacionit të masovizimit të vizitës së bioskopeve në vitet 1930 dhe 1940 (Kuhn & Westwell, 2012). Një shtytje e madhe e këtyre studimeve kanë qenë edhe vitet 1950 kur është shënuar dukuria e ashtuquajtur “cinephilia”, dashuri ap pasion ndaj kinemasë. Në vitet 1960 teza mbi shoqërinë dhe kulturën masovike së pari është sulmuar në Francë, më pas në Angli duke rivlerësuar filmat e Hollywood-it. Në vitet 1970 sipas Dudrah-ut sociologjia e filmit është marrë më tepër me dimensionin semiotik të kinemasë, duke shpërfillur strukturën sociale dhe shikuesit. Në vitet 1980 dhe 1990 trend kanë qenë studimet kulturore dhe mediatike, kërkimet më të sofistikuara mbi shikuesit dhe kontekstet e tyre shoqërore. (2006: 23) Dixon dhe Foster (2011) e përkufizojnë audiencën kinematografike si palë që filmat i shfrytëzon si mjete të eskapizmit (të ikjes nga problemet e jetës). Teknologjitë digjitale të shekullt XXI e kanë revolucionarizuar filmin, distribuimin dhe përvojnë e shikimit të tyre. Filmat e sodit incizohen me kamera digjitale HD, me efekte të gjeneruara me kompjuter dhe të shtuara në post-produksion, të përcjellura në salla, webfaqe dhe në video networke me kërkesë. Ato shikohen në laptopë, iPodë, në tabletë, celularë.

Filmat bëjnë, reflektojnë dhe ndikojnë historinë, ato mund të jenë burim parësor në studimin e shoqërisë, ndërkohë që mund të përcjellin edhe stereotipe, keqkuptime dhe ideologji lidhur me racën, etnicitetin, fenë, varfërinë, ndryshimin social, jetën shoqërore, kulturore dhe politike.

Seriali që do të shqyrtojmë këtë radhë është “Ninulla ballkanike” që trajton temën e dashurisë së dy të rinjve (Ertan dhe Jovanka), një turku dhe një maqedonaseje etnike, që brenda filmit cilësohet si “dashuri e pamundshme” (imkansız aşk). Në këtë produksion ku marrin pjesë artistë me famë si Erdal Özyağcılar, dhe që ka hyrë në eterin televiziv më 21 qershor paraqet një film romantik dhe familjar. Ngjarja zhvillohet në Shkup, gjegjësisht siç thuhet në faqen zyrtare të këtij kanali: “është rrëfim mbi qytetin e Shkupit të cilin e ndan lumi Vardar por e bashkon Ura e Gurit”. Më saktësisht, ngjarja kryesore zhvillohet në një konak osman, ku frymon një familje e zgjeruar, në krye të së cilës është qoftexhi Sylejmani. Profili i qytetit që jepet në këtë projekt është i njëanshëm, joobjektiv: dy elementet etnike që mbizotërojnë filmin janë ai turk dhe maqedonas. Pjesa turke dhe pjesa maqedonase e Shkupit, që sociologjikisht do të duhej të jepej si diadë shqiptare-maqedonase ose e kundërta.

Kontradikta ekstreme që përshkruhet mes turqve dhe maqedonasve s’ka të bëjë fare me realitetin social. Kryeaktori (Sylejmani), , i mbiquajtur nga komshiu i çarshisë “flamuri turk në fromë njeriu, daja i Ertanit, dhe Nerimani nëna e tij (motra e Sylejmanit) paraqiten në film si anti-maqedonas të përbetuar, nga ana tjetër Elena (bashkëshortja e Danielit, nëna e Jovankës) si antiturke. Në fakt s’përkojnë me realitetin social as skena e mosdashjes së Sylejmanit që ta kapërcejë vijën e përtej-Vardarit sepse është hapësirë maqedonase, as fjalët se s’shet qofte për maqedonasit, e as ajo ku Elena pasi i bie të fikët dhe i jepet ujë pyet “mos vallë është ujë turk?”, as ku thotë se s’konsumon ushqime turku.

Relacionet dhe ndërveprimi shoqëror turko-maqedonas në ish-Jugosllavi dhe në RMV-në gjithnjë kanë qenë të relaksuar, ndonëse deri para 20 e ca viteve shkenca dhe filmografia maqedonase e ndikuar nga ato serbe (në veçanti nga ASHAS) hidhnin gurë e drunj kundër osmanëve dhe turqve. Kurrë turqit e këtyre trojeve s’kanë përjetuar ekskomunikimin dhe dhunën fizike dhe emocionale që e kanë përjetuar shqiptarët, të cilët, në veçanti në Maqedoni, kanë qenë gardianë edhe të trashëgimisë osmane. Asnjë turk s’është fyer, s’është sharë në baza etnike, as në vendin e punës, as në kafene, as në pazar, as në stadium. Kuptojmë që është film dhe se ka të bëjë me imagjinaren, fiktiven, por ama sërish edhe filmi duhet të jetë një deskripcion apo përshfaqje e deridikushme e realitetit social, duhet që të mos e vë në shikuesin në pozitë të të marrit.

E çuditshme ishte edhe skena kur Arifi i thotë fëmijës që të kalojë kanalin e radios në shqip, e ai i përgjigjet me “S’kuptoj shqip!” Çudi e madhe, si ka mundësi një fëmijë turk i çarshisë të mos dijë shqip. Teprim par exellance. Esnafi dhe fëmijët e çarshisë janë poliglotë, flasin shqip, turqisht, maqedonisht, boshnjakisht, aty këtu edhe anglisht (që shumëherë e kemi vërejtur si kalimtar rasti). /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button