Mickoski do të kërkojë referendum për ndryshimet kushtetuese

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në intervistë për Televizionin Sitel tha se do të propozojë deri te Komiteti ekzekutiv i partisë që të shqyrtohet mundësia për kërkesë për referendum për ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët duhet të futen në Kushtetutë, shkruan 360 Gradë, njofton Portalb.

Ai tha se qytetarët duhet ta theksojnë mendimin e tyre, por që hapi i parë do të jetë grumbullim i 150.000 nënshkrime.

“Duhet të dalin në referendum dhe të thonë se nëse janë ‘për’ ose nuk janë ‘për’ këto ndryshime të cilat Qeveria i nënshkruajti pas këtij nokauti diplomatik dhe kapitulim. Por, të dalim fillimisht si parti me qëndrim, ndërsa pastaj opinioni do të ketë më shumë hollësi. Por, kjo është iniciativa e ardhshme të cilën planifikoj t’ia propozojë Komitetit ekzekutiv, menjëherë pas kthimit dhe funksionimit të sërishëm të Kuvendit. Pas pushimeve të verës të fillojmë iniciativë për grumbullim të 150.000 nënshkrimeve dhe të bëjmë prononcim të qytetarëve në referendum”, theksoi Mickoski.

I pyetur se nëse në qoftë se qytetarët prononcohen kundër ndryshimeve kushteteuse Maqedonia e Veriut do të mund të kthehet prapa në këtë proces, Mickoski potencoi se referendumi do të ishte i obligueshëm për politikanët.

“Populli është sovran dhe politikanët e marrin kredibilitetin e tyre nga populli. Populli është ai që është sundues sovran në këtë shtet, jo ne politikanët. Ajo që tani Bujar Osmani ka nënshkruar protokoll, kjo nuk do të thotë se gjithçka ka përfunduar. Këtë unë edhe dje e thashë në konferencën për shtyp, për shkak se korniza negociuese nuk është miratuar. Korniza negociuese do të miratohet pasi që të ndodhin ndryshimet kushtetuese. Nëse populli në referendum thotë ‘Nuk ka ndryshime kushtetuese – nuk ka’. Atëherë do të kërkojmë kornizë tjetër negociuese. Atëherë edhe Evropa do ta dijë se populli ka thënë se nuk pranon ndryshime të reja kushtetuese dhe do të duhet që në kornizën negociuese nenin 5 i cili i referohet Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe nenin 12 nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë të hoqen nga atje, madje të bisedojmë për disa kushte të tjera”, tha Mickoski.

Sipas tij, populli nuk duhet të dëshpërohet dhe të humbë shpresën për shkak se procesi ende nuk ka përfunduar.

“Ka nënshkruar Bujar Osmani, Mirë, ashtu ka vendosur, Shqipëria duhej të fillonte negociatat etj. Por, për Maqedoninë e Veriut dhe për identitetin maqedonas ende nuk është kryer puna. Nuk është miratuar korniza negociuese, ndërsa në referendum nëse populli thotë ‘nuk ka ndryshim të Kushtetutës’, ashtu do të mbetet. Evropës në Bruksel do t’u themi: ‘Njerëz, populli ashtu vendosi, ju lutem, na jepni kornizë tjetër negociuese”, tha Mickoski.

Përndryshe, sot në Sofje ministrat e punëve të jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska e nënshkruajtën protokollin bilateral pas takimit të komisionit të përbashkët ndërqeveritar. Sipas paralajmërimeve, protokolli duhet të publikohet pas nënshkrimit të tij. Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmë në konferencën për shtyp informoi se më 19 korrik do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button