U postuan 39 numra të deputetëve nga Qeveria në Twitter, thirrje kërcënuese dhe gjuhë urrejtjeje për të mos votuar për propozimin francez
Kërcënime, mallkime, gjuhë urrejtjeje. Thirrjet dhe mesazhet në celularët e deputetëve të shumicës qeverisëse nuk kanë të ndalur që kur janë shfaqur numrat e tyre të telefonit në rrjetin social “Twitter”, shkruan Tellma.
Postimi në Twitter është pa emër, por lexohet si një profeci, “Thuaju atyre të mos tradhtojnë popullin”, duke sugjeruar që numrat e tyre duhet të thirren dhe të ushtrohet presion personal për të votuar kundër “propozimit francez”.
Numrat e telefonit më herët kanë qenë në dispozicion të qytetarëve, por tani po keqpërdoren për të fituar pikë politike, thotë për Tellma, Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.
“Por kjo është pjesë e skenarëve të zinj të atyre që nuk e mendojnë mirë vendin dhe e përdorin këtë vetëm si luftë të zhveshur për pushtet dhe shpëtim nga krimi. Jemi të bindur se qytetarët nuk do të dorëzohen para spekulimeve dhe gënjeshtrave, sepse konkluzionet që do të propozojmë dhe votojmë garantojnë vazhdimin e rrugës evropiane me respekt të pakushtëzuar të gjuhës maqedonase dhe respekt të pakushtëzuar të identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas, tani dhe gjithmonë në të ardhmen”, tha Mitrevski.
Nga Prokuroria e Shkupit thonë se janë duke ndjekur informacionet dhe nëse konstatohen elemente të veprës penale do të veprojnë sipas kompetencave ligjore.
Gjuha e urrejtjes, shpifjet dhe fyerjet janë shtuar që kur qeveria njoftoi propozimin francez për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Rrjetet sociale dhe profilin e tij personal i ka shfrytëzuar edhe ish-anëtari i bordit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së opozitare, Bogdan Ilievski, i cili ka drejtuar sharje dhe ofendime ndaj deputetëve dhe politikanëve.
Në protestat që sot mbahen për të dhjetën herë përdoret shpesh termi tradhtar, ndërsa mbrëmë është vendosur pankarta me fotografinë e deputetëve të LSDM-së dhe koalicionit.
Kujtojmë se opozita maqedonase VMRO-Levica mbi një javë protestojnë kundër propozimit francez, madje pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.
Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.
Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.