RMV, si të kapërcehen pengesat për raportimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore?
Nga analiza e rasteve të dhunës vërehet joprofesionalizëm, kontradikta dhe mospërputhje në veprimet e disa prej qendrave për punë sociale, mosveprimi i tyre në rastet e dhunës së kryer nga ish-partneri, mosveprimi i prokurorisë publike pas kallëzimit penal për dhunë me baza gjinore (me arsyetimin se nuk është vepër që ndiqet sipas detyrës zyrtare) dhe mosveprimi i MPB-së pas denoncimeve të marra për dhunë në familje, u tha në ngjarjen e organizuar nga Komiteti i Helsinkit, “Kush (nuk) mund të raportojë dhunën?”, transmeton Portalb.mk.
Koordinatorja e projektit, Bojana Jovanovska nga Komiteti i Helsinkit, në prezantimin e saj hyrës theksoi se vetëm gjatë periudhës njëvjeçare të projektit Komiteti i Helsinkit ka ofruar ndihmë juridike falas për 33 raste të dhunës në bazë gjinore (26- dhunë në familje, 2 – dhunë seksuale, 3 – përdhunime dhe 2 – ngacmime seksuale).
Në ngjarje u prezantua dokumenti i politikave publike “Kush (nuk) mund të raportojë dhunën?” i cili jep përgjigje në pyetjen se si ndikon mosveprimi i institucioneve kompetente në raportimin e dhunës, duke analizuar problemni përmes disa aspekteve: përdorimi i mundësisë së raportimit nga një palë e tretë, duke përfshirë raportimin anonim, pasojat e mosveprimit të institucioneve kompetente pas marrjes së kallëzimit për dhunë dhe raportimit nga institucionet kompetente pas vënies në dijeni.
Dokumenti, të cilin e prezantoi këshilltarja juridike në Komitetin e Helsinkit, Natasha Petkovska, ofron disa zgjidhje të mundshme për rritjen e shkallës së raportimit të dhunës përmes udhëzimeve dhe rekomandimeve specifike për institucionet kompetente për krijimin e masave dhe politikave për tejkalimin e barrierave ekzistuese. Petkovska iu referua edhe tri rasteve studimore, të cilat janë të përfshira në dokument dhe të cilat ofrojnë ilustrim të qartë të situatës në terren.
Në kuadër të këtij projekti, gjatë periudhës së kaluar janë mbajtur shtatë trajnime për konceptet bazë të Konventës së Stambollit dhe zbatimin e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, të dedikuara për punonjësit e policisë nga të gjitha sektorët për punë të brendshme vend, përveç Shkupit. Avokatja Marta Gusar, e cila u angazhua si trajnere, me këtë rast theksoi:
“Maqedonia nuk është Shkup. Nuk dinë për ekzistimin e ligjit në të gjithë vendin, e lëre më zbatimin e tij, gjë që është shkatërruese. Me policinë, elementi hierarkik është i mbipërfaqësuar në veprimet e tyre – nëse nuk kanë drejtime “nga lart”, ata i kthejnë dhe dënojnë viktimat, ndërsa pastaj kthehen te autori”.
Gusar theksoi se problem i madh është mosbashkëpunimi i MPB-së dhe qendrave për punë sociale. Si shembull pozitiv veçohet Shtipi dhe Makedonski Brodi, ku bashkëpunimi është i përsosur, ndërsa veprimi është i shpejtë dhe i përditësuar.
Ajo ndau përshtypjen se njihet vetëm Kodi Penal, por që punonjësit e policisë nuk kanë njohuri për obligimet dhe përgjegjësitë për zbatimin e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje.
“Kur ka shkallë të lartë rreziku për viktimën ose kur përfshihen fëmijë të mitur, nuk mund të presësh deri në afatin e fundit sepse shpejtësia në veprim është e nevojshme… Kemi elan, sjellim ligje dhe kur vjen puna te zbatimi çdo gjë na bie në ujë”, përfundoi Gusari.
Në panelin, të cilin e moderoi Ana Avramovska Nushkova nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, përvojat dhe njohuritë e tyre për problemet me raportimin e dhunës dhanë: Snezhana Smilevska nga Organizata e Grave të Qytetit të Shkupit. , Jovana Malezanska, juriste dhe Daniela Paneva nga Organizata e Grave të Komunës së Sveti Nikollës.
Më shumë lajme dhe tema për dhunën në familje dhe me bazë gjinore gjeni duke klikuar KËTU.