Status quo me ndërtimin e deponisë rajonale në Sveti Nikole, deponitë ekzistuese po digjen

Në vend të tenderit ndërkombëtar për përzgjedhjen e kompanisë që do ta ndërtojë deponinë moderne rajonale afër fshatit Meçkuevci në Ovçe Pole, pjesa lindore e Maqedonisë së Veriut po përballet me djegien e deponive ekzistuese dhe ndotje enorme të ajrit gjatë muajve të erës, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Pasi që Komuna e Sveti Nikole në fillim të këtij viti u prononcua se është kundër ndërtimit të deponisë rajonale në territorin e saj para fillimit të shpalljes së tenderit, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) këtë pranverë paralajmëroi se do ta fillojë procedurën për marrje të ingerencave Komunës së Sveti Nikoles për projektin për ndërtim të deponisë rajonale në rajonin planor Lindor dhe Verilindor.

Pushteti qendror këtë pranverë u kërcënua se do t’ua marrë ingerencat vetëqeverisjes lokale, por edhe se Sveti Nikole do të ketë përfaqësues në ndërmarrjen e re komunale rajonale e cila do të duhet të menaxhojë me deponinë e ardhshme rajonale. Autoritetet komunale, madje u kërcënuan se do të shpallin referendum për prononcim të qytetarëve të Sveti Nikoles se nëse dëshirojnë që në vetëqeverisjen e tyre lokale të ndërtohet ky projekt i financuar nga BE-ja, me mjete të pakthyeshme prej rreth 40 milionë euro.

Pasi atmosfera e tensionuar kaloi pranverën e kaluar, në Sveti Nikole sundon heshtje lidhur me temën e ndërtimit të deponisë rajonale. Meta.mk në dy raste gjatë muajit qershor dërgoi pyetje deri te autoritetet komunale, por nuk kemi përgjigje në pyetjen nëse dhe kur planifikojnë të organizojnë referendumin për realizimin e projektit kapital.

Ndërkohë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk mohojnë se kanë filluar procedurë për revokimin e kompetencave nga Komuna e Sveti Nikollës për projektin për ndërtimin e deponisë rajonale në fshatin Meçkuevci. Ata pohojnë se procedura e tillë as që është nisur, ndonëse vetë e kishin paralajmëruar në pranverë.

“Për momentin jemi në pritje të finalizimit të dokumentacionit nga të gjitha institucionet e përfshira, për realizimin e këtij IPA projekti, e pastaj duhet të marrim miratimin nga DEU dhe kështu të vazhdohet me shpalljen e tenderit për realizimin e punimeve. Pasi 17 komuna të këtij rajoni e kanë dhënë pëlqimin, presim që edhe komuna e Sveti Nikollës të japë pëlqimin”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ata pohojnë se deponia rajonale do ta zgjidhë problemin e mbetjeve komunale dhe deponive të egra, të cilat janë burim i ndotjes së tokës, ajrit, ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore në rajonin e planifikimit Lindor dhe Verilindor. Në të njëjtën kohë, me këtë projekt do të hapen vende të reja pune dhe do të përmirësohet gjendja socio-ekonomike e banorëve të Sveti Nikollës dhe komunave përreth.

Përndryshe, deponia e parë moderne sipas standardeve të BE-së në Maqedoni do të ndërtohej afër fshatit Meçkuevci në Ovçe Pole. Ajo duhet t’u shërbejë rreth 370.000 banorëve dhe do të ketë kapacitet total për të pranuar 900.000 metër kub mbetje. Në këtë lokacion do të ndërtohen impiante për trajtimin e mbetjeve, që përfshin para-trajtimin mekanik me copëtimin e mbetjeve, përpunimin dhe skrinimin e metaleve me ngjyra, kompostimin e fraksionit të lagësht, rafinimin dhe pjekjen.

Në deponinë e ardhshme rajonale do të ketë edhe një impiant të posaçëm për seleksionimin dytësor të mbetjeve të letrës, plastikës, qelqit dhe metaleve dhe në të do të kryhej riciklimi i materialit. Me këtë praktikisht Maqedonia, për herë të parë, do të fitojë fabrikë moderne për mbetje, në të cilën vetëm një përqindje e caktuar e mbetjeve të grumbulluara do të depozitohet në atë lokacion.

Po digjen deponitë ekzistuese në Lindje

Dhe derisa ndërtimi i deponisë moderne rajonale është në gjendje status quo, nëpër komunat në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut po digjen deponi të pastandardizuara komunale, Pas vërejtjeve të shumta të qytetarëve, Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor javën e kaluar i urdhëroi Ndërmarrjes publike të Shtipit “Isar” ta shuajë zjarrin dhe t’i dislokojë zjarrin mbeturinat nga deponia kryesore në deponinë “Tresgtena skalla”.

Ndaj ndotjes së ajrit periodikisht ankohen edhe qytetarët e Koçanit dhe Vinicës, ku gjithashtu gjatë vitit që kaloi ka pasur djegie të mbeturinave në deponitë komunale dhe tym i padurueshëm që përhapej drejt qyteteve.

Për shkak të mënyrës së këtillë të menaxhimit me mbeturina, Bashkimi Evropian çdo vit drejton kritika ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Në Raportin e fundit për progresin e reformave të realizuara të vendit për vitin 2021, Komisioni Evropian në pjesën e mbrojtjes së mjedisit jetësor u dha rekomandim të qartë autoriteteve se sivjet duhet të bëhen hapa të rëndësishëm për vendosje të sistemeve rajonale për menaxhim me mbeturina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button