Propozimi francez nuk do të jetë në rend dite në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut para të hënës

Të hënën do të dihet se kur do të fillojë seanca. Opozita kërkon që propozimi i kornizës së negociatave të kthehet në Qeveri për shkak se deputetëve nuk u është dorëzuar asnjë dokument. LSDM bën thirrje për sjellje të përgjegjshme, raporton DW, përcjell Portalb.mk.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, bën të ditur se kjo do të bëhet e ditur të hënën kur propozimi francez do të jetë para deputetëve. Në fillim të javës së ardhshme është caktuar koordinim i rregullt në Kuvend, në të cilin duhet të diskutohet kur të mbahet seanca plenare për Informimin për përmbajtjen e propozim – kornizës së negociimit për negociatat aderuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në, propozuar nga Presidenca franceze më 30 qershor.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha për AIM se për këtë do të diskutohet në koordinim, ku si përfaqësues i qeverisë do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Bojan Mariçiq.

Por të hënën duhet të fillojë seanca për rebalancimin e Buxhetit. Sipas Xhaferit, seanca plenare me një pikë të vetme të rendit të ditës për ribalancimin e buxhetit duhet të zgjasë më së shumti pesë ditë dhe është caktuar sipas afateve. Mirëpo, nëse ka nevojë, do të ndërpritet dhe do të caktohet një seancë e re në të cilën në rend dite do të ishte informacioni i dërguar nga Qeveria.

Material prej një faqeje

Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së në Kuvend, informoi se i kanë dërguar letër Xhaferit me kërkesë që propozimin për kornizën negociuese t’ia kthejë Qeverisë, sepse nuk përmban asnjë dokument.

“Ky është një shkatërrim dhe zhvlerësim klasik i Kuvendit dhe ky është një abuzim klasik dhe ulje e Kuvendit në nivelin më të ulët”, thotë ai, duke theksuar se deputetëve u është dërguar një tekst nga njëra anë, një bazë mbi të cilën ata. duhet të prononcohen për të ardhmen e vendit.

“Në materialin e dërguar askund nuk gjendet dokumenti me qëndrimin e përbashkët të BE-së, propozimin për kornizën negociuese të BE-së, gjegjësisht qëndrimin e përgjithshëm të BE-së, draft-konkluzionet e Këshillit dhe protokolli bilateral ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, për të cilën edhe ministri Osmani edhe ministrja Gencovska kanë deklaruar se është i hrmpnizuar, thotë Micevski, sipas të cilit fshehja e këtyre dokumenteve, vetëm e shton shqetësimin se kjo paketë dokumentesh është e dëmshme për Maqedoninë.

Duke pasur parasysh se në Kuvennd është dërguar vetëm informacioni dhe jo dokumentet, pra propozimi francez, kryeparlamentari Talat Xhaferi thotë se të gjitha dokumentet tashmë janë në dispozicion të publikut dhe mund t’i shohë kushdo.

Përgjegjësia për të ardhmen evropiane

Qeveria ka dërguar dje në Kuvend propozimin francez, për të cilin duhet të diskutojnë deputetët. Deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq, në një konferencë për media tha se deputetët e të gjitha partive politike kanë përgjegjësi që të punojnë për qytetarët, jo për interesat e dikujt tjetër dhe për të siguruar të ardhmen evropiane të shtetit.

“LSDM, si parti shtetformuese, ka konkluzione që garantojnë respektim konsekuent të përkushtimit për respektimin e pakushtëzuar të gjuhës, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas. Si elemente që nuk janë të negociueshme në asnjë kohë dhe rrethanë, pra nuk janë pjesë e procesit të negociatave”, tha Kociq.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, raQeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button