Dhunë në protestën kundër “propozimit francez” para Qeverisë dhe Kuvendit (VIDEO)

Nën moton “Ultimatum – Jo faleminderit” përpara Qeverisë dhe Kuvendit, sot për të tretën ditë me radhë ka vazhduar protesta kundër pranimit të “propozimit francez” për heqjen e vetos bullgare dhe fillim të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Protestuesit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, në mënyrë të dhunshme kanë sulmuar policinë dhe objektin e Qeverisë, duke tentuar të hyjnë brenda. Në mesin e protestuesve kishte edhe disa persona me maska., njofton Portalb.mk.

Një pjesë e protestuese janë përplasur me policinë e cila kishte vendosur kordon përpara ndërtesës së Qeverisë. Protestuesit kanë hyrë brenda oborrit dhe e kanë gjuajtur objektin e Qeverisë me vezë, gurë dhe me mjete piroteknike.

Një pjesë e protestuesve nga Qeveria u drejtuan para Kuvendit, ku i hoqën barrikadat dhe u përplasën me forcat policore.

Paraprakisht, lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski u ka bërë thirrje qytetarëve sa më masivisht të dalin në protestë pasi që sipas tij, nesër Qeveria do ta pranojë propozimin francez.

Nga LSDM reaguan se sonte ka pasur tentim për t’u përsëritur 27 prilli i vitit 2017-të, kur huliganët sulmuan Kuvendin dhe rrahën deputetë e gazetarë.

Edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim dërguan kumtesë ku thuhet se “e dënojnë ashpër dhunën dhe incidentet anti-europiane që ndodhën sonte në protestën e e organizuar nga VMRO-DPMNE dhe Levica para ndërtesës së Qeverisë dhe Parlamentit”.

Komisioni Evropian sot e përshëndet propozimin francez të rishikuar.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit më 1 korrik, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Presidenti, Stevo Pendarovski, propozimin e modifikuar të presidencës franceze të BE-së e ka vlerësuar si të pranueshëm.

Por, kështu nuk mendon opozita maqedonase. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski tha se i ka ofruar që nëse e refuzon propozimin francez, ai do të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kovaçevski tha se ky propozim përfundimtar evropian mundëson fillimin e pakushtëzuar të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE.

Opozita shqiptare e mbështet propozimin, ndërkaq partitë e vogla të koalicionit kërkojnë që i njëjti të ndryshohet.

Pos vendeve evropian, edhe SHBA përshëndet diskutimin për propozimin e rishikuar francez për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button