KE: Propozimi i rishikuar mundëson fillim të bisedimeve me BE-në, është koha për vendime të përgjegjshme

Komisioni Evropian e përshëndet propozimin francez të rishikuar për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe vlerëson se mundëson fillim të bisedimeve me BE-në, njofton Portalb.mk.

“E përshëndesim zhvillimin e situatës në lidhje me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas propozimeve franceze dhe falë punës së udhëheqësisë franceze e cila e mbaroi këtë mision javën e kaluar, kemi bërë zhvillim të madh për këtë çështje”, deklaroi Dana Spinant, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

KE, shtoi ajo, është e informuar për protestat kundër propozimit, të cilat janë mbajtur gjatë vikendit në Shkup, por edhe për qëndrimin e opozitës e cila vlerëson se propozimi nuk është mjaftë i mirë.

“I ndjekim nga afër të gjitha ngjarjet në Maqedoninë e Veriut, tani është koha për vendime të përgjegjshme të cilat mundësojnë të shkohet përpara në proces. Për ne, tani është koha që të avancohet procesi negociues, propozimi i reviduar francez mu atë e mundëson”, deklaroi Ana Pisonero.

Ajo shtoi se Komisioni i “fton të gjitha partitë politike të veprojnë në mënyrë konstruktive në emër të interesave të qytetarëve të cilët gjatë kohë presin për rrugën evropiane”.

“Propozimi i udhëheqësisë franceze i merr parasysh të gjitha interesat dhe preokupimet e të gjithëve”, deklaroi Pisonero.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit më 1 korrik, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Presidenti, Stevo Pendarovski, propozimin e modifikuar të presidencës franceze të BE-së e ka vlerësuar si të pranueshëm.

Por, kështu nuk mendon opozita maqedonase. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski tha se i ka ofruar që nëse e refuzon propozimin francez, ai do të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kovaçevski tha se ky propozim përfundimtar evropian mundëson fillimin e pakushtëzuar të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE.

Opozita shqiptare e mbështet propozimin, ndërkaq partitë e vogla të koalicionit kërkojnë që i njëjti të ndryshohet.

Pos vendeve evropian, edhe SHBA përshëndet diskutimin për propozimin e rishikuar francez për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button