Trofta po vonohet me lëshimin e ikrave, pisha e malit para zhdukjes, ndryshimet klimatike po e godasin pamëshirshëm biodiversitetin

Trofta e Ohrit po vonohet me lëshimin e ikrave, pisha e malit mund të zhduket deri në vitin 2100, kurse molika e Pelisterit po zhvendoset në lartësi më të madhe mbidetare ku tani jetojnë specie të tjera të rëndësishme bimore të cilat do të zhduken. Ndikimi i ndryshimeve klimatike dhe çrregullimi i stinëve vjetore mbi biodiversitetin është i madh. Ndryshimet po kërcënojnë pamëshirshëm të shkatërrojnë shumë specie, disa prej të cilave janë shumë të rralla dhe të rëndësishme, njofton Meta.mk.

Numri i pishave të malit, i cili shtrihet në zonat sub-alpine dhe alpine të maleve të Mokrës dhe Malit Sharr, do të reduktohet ndjeshëm deri në vitin 2050 dhe do të zhduket plotësisht deri në vitin 2100. Për disa vite me radhë shkencëtarët kanë regjistruar ndryshime në sjelljen e troftës së Ohrit gjatë periudhës për lëshimin së vezëve, që po fillon më vonë se zakonisht. Pjekuria e vonuar seksuale e kësaj specie endemike të peshkut që jeton disa mijëra vjet në liqenin e Ohrit, sipas ekspertëve, është për shkak të ndryshimeve klimatike globale. Kufiri i poshtëm i molikës së Pelisterit do të zhvendoset në një lartësi më të madhe, duke mbuluar një pjesë të kullotave të larta malore dhe pjesëve shkëmbore, në të cilat aktualisht janë të pranishme specie të rëndësishme bimore dhe të cilat potencialisht do të zhduken.

Këta janë vetëm disa nga shembujt që i ilustrojnë efektet e ndryshimeve klimatike mbi biodiversitetin, ndryshime që janë rezultat i drejtpërdrejtë i aktiviteteve njerëzore. Ekspertët pajtohen se tashmë është “dymbëdhjetë e pesë” për të parandaluar ndryshimet klimatike, por detyrimi ndaj brezave të ardhshëm mbetet që të mundësojmë zbutjen dhe përshtatjen.

Sipas Ana Petrovska, autore e hulumtimit “Ndryshimet klimatike dhe rezistenca e natyrës”, gjashtë nga dhjetë vitet më të ngrohta në vendin tonë, pas vitit 1951, kanë ndodhur nga viti 2007 deri në vitin 2012 dhe valë të nxehta janë shënuar pothuajse çdo vit nga viti 1987 e deri më sot. Si pasojë e kësaj, numër i madh i specieve nuk janë në gjendje të përshtaten mjaftueshëm shpejt ndaj temperaturave më të larta, thatësirave të shpeshtuara, zjarreve, stuhive dhe erërave.

“Shkalla aktuale e zhdukjes së specieve në mbarë botën është tashmë njëqind herë më e lartë se në epokën para-industriale. Ndryshimet kanë të bëjnë me ndryshimin e periudhave të riprodhimit, migrimit dhe shpërndarjes së specieve, shpërthimeve të sëmundjeve dhe riprodhimit të tepërt të disa specieve. Zhdukja e një specie në mënyrë të pashmangshme i vë në rrezik speciet e tjera. Humbja e biodiversitetit do të përshpejtojë ndryshimet klimatike,” thotë Petrovska.

Analizat e Drejtorisë për Hidrometeorologji thonë se vlerat më të larta të temperaturave të verës janë vërejtur në vitet 2003, 2017, 2019, ndërsa më ekstremet janë në vitin 2012 dhe 2007. Në dekadën e fundit, nga viti 2011 deri në vitin 2020 është shënuar ndryshimi më i madh vjetor i numrit vjetor të ditëve me ngrica, të akullta, ditëve verore, netëve tropikale dhe valëve të të nxehtit në raport me vlerat mesatare, ndërsa në pjesën jugore dhe juglindore të vendit është shënuar rritje e kohëzgjatjes totale të periudhave të ngrohta për më shumë se një muaj.

“Sipas analizave, vendi në të ardhmen do të përballet me klimë më të ngrohtë dhe më të thatë. Numri i ngjarjeve të ngrohta ekstreme do të rriten, ndërsa do të ulen ngjarjet e ftohta, valët e të nxehtit do të shpeshtohen dhe do të rriten netët tropikale. Klima më e ngrohtë do të rrisë gjithashtu kohëzgjatjen e periudhës së vegjetacionit te bimët”, venë në pah nga DHM.

Zvogëlimi i reshjeve verore do të rrisë rrezikun e thatësirës, ndërsa nga ana tjetër pritet një rritje potenciale e reshjeve ekstreme ditore, të cilat do të shkaktojnë rrezik më të madh të përmbytjeve të rrëmujshme.

Me të gjitha këto ndryshime, sipas hulumtimit të Petrovskës, në pozitën më të rrezikshme në brezat malore janë vendosur bima shëruese ngrica, lule kandili, zhabina e degenit, lulebora e Sharrit, lulebora e Pelisterit dhe shelgjet alpine. Nga ana tjetër, në Pelister, me zhvendosjen e molikës në një lartësi më të madhe, duke zënë një pjesë të kullotave malore të larta dhe të daljeve shkëmbore, habitatet natyrore të hardhucës së malit, shpendëve të ujit, harabelit të borës, karkaleci shumëngjyrësh, bricjapi do të humbasin. Në ultësira, nga ana tjetër, speciet më të rrezikuara janë trumza, natalia dhe ramonda serbe, flokët e Afërditës, bretkosa e liqenit dhe qepës ballkanike dhe marmota e vogël.

Një problem i madh në S. Maqedonia, sipas Petrovskës, është se nuk ka hulumtim sistematik që do t’i përgjigjet pyetjeve se si ndryshimet klimatike ndikojnë mbi biodiversitetin, por edhe si ta zvogëlojmë atë ndikim.

“Studimet e kryera për vlerësimin e cenueshmërisë së biodiversitetit dhe pylltarisë në Maqedoni nuk bazohen në analiza në terren dhe monitorim sistematik afatgjatë, as nuk përdoren mjete moderne të senzorimit në distancë apo softuer tjetër në kuadër të Sistemeve Informative Gjeografike. Monitorimi i deritanishëm kryesisht realizohet si pjesë e aktiviteteve të projektit të realizuara me ndihmën e donacioneve”, tha Petrovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button