Kyçyk: Bullgaria po bëhet vend problematik që pengon zhvillimin e BE-së

Bullgaria po bëhet vend problematik që pengon procesin e zhvillimit të BE-së. Vendi ynë nuk duhet të jetë midis pengesave, por në hapësirën e zhvillimit – të vendosim agjendë, të imponojmë pikëpamje të ndryshme që do ta bëjnë BE-në shumë më efikase dhe këto të jenë në interesin kombëtar bullgar. Një nga temat që Bullgaria duhet të drejtonte ishte zgjerimi i BE-së dhe se si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ishin pjesë e saj, tha për BNR eurodeputeti Ilhan Kyçyk, anëtar i Komitetit të punëve të jashtme në PE dhe raportues për Maqedoninë, transmeton Portalb.mk.

Ai është kategorikisht kundër idesë për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në rrugën evropiane, sepse beson se kjo do të komplikojë edhe më shumë imazhin ndërkombëtar të Bullgarisë.

Sipas tij, propozimi i presidencës franceze të Këshillit të BE-së është më i miri deri tani për Bullgarinë.

“A do të miratohet nga Sofja dhe Shkupi është një pyetje tjetër. Definitivisht ishte gabim që çështja të transferohej si patate e nxehtë në Kuvendin popullore. Qëndrimi i Bullgarisë duhet të përgatitet nga Këshilli i Ministrave. Sipas Kushtetutës, politikën e jashtme e udhëheq Këshilli i Ministrave, jo Parlamenti”, thotë Kyçyk.

Ai konsideron se nëse Bullgaria miraton një qëndrim të përbashkët për propozimin për Maqedoninë e Veriut, presioni politik nuk do të jetë më mbi të, por do të kërkohen mekanizma të tjerë për të imponuar një ose tjetrin propozim.

“Bullgaria do të ketë qëndrim, sepse nuk mund që dy vite të mos kemi qëndrim të përbashkët për këtë çështje për dy vjet. Do të jetë mosrespekt i madh për BE-në nëse vendi ynë nuk del me një qëndrim të qartë se si e sheh këtë çështje. Propozimi ka garanci mjaft të mira për zgjidhjen e problemeve të vështira të së kaluarës dhe për çështjet e hapura të vjetra emocionale, si dhe për të drejtat e bullgarëve – ata do t’i përmbushin garancitë e tyre në mënyrë evropiane”, tha Kyçyk.

Ndryshe, Kuvendi Kombëtar i Bullgarisë sot do të diskutojë për miratimin e vendimit me të cilin do të kalojë propozimi i presidencës franceze me Bashkimin Evropian për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kjo pason pasi dje anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Bullgarisë debatuan për tre orë e gjysmë për tri zgjidhjet e propozuara për zgjidhjen e kontestit maqedono-bullgar. Pas debatit, Komisioni mbrëmë e miratoi propozimin e liderit të “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov, për zgjidhjen e marrëdhënieve Sofje-Shkup.

Sipas BGNES, propozimi është miratuar me votat e GERB-it dhe DPS-së dhe dokumenti i votuar është bazuar në propozimin francez. Partitë “Ka një popull të tillë”, BSP dhe “Prerodba” thanë se nuk do ta mbështesin vendimin sepse dallon nga ai që deri tani e ka miratuar Parlamenti bullgar. Në të njëjtën kohë, ITN theksoi se debati në Komisionin është i pakuptimtë, sepse kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski tashmë e ka refuzuar propozimin.

Me propozimin francez parashikohet që Kuvendi Kombëtar t’i japë mandat qeverisë të miratojë propozimin e presidencës franceze për ndryshimin e projekt-kornizës së negociatave dhe heqjen e vetos ndaj RMV-së.

Propozimi i “Bullgarisë Demokratike” parashikon që ajo të bëhet nën 4 kushtet:

  • rafinimi i tekstit për të siguruar hyrjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut;
  • asgjë në procesin e anëtarësimit të Shkupit në Bashkimin Evropian nuk mund të interpretohet si njohje bullgare e ekzistencës së “gjuhës maqedonase”;
  • të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet kriter horizontal deri në përfundimin e negociatave të Shkupit me BE-në;
  • rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë të bëhet publik në procesin e negociatave.

Dje, presidenti francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e Bashkimit Evropian, tha se ishte në pritje të një vendimi përfundimtar nga parlamenti bullgar mbi propozimin për të zhbllokuar të drejtën e vetos në bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Ai tha në një konferencë shtypi pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel se besonte se ishin afër një marrëveshjeje që Shkupi dhe Tirana të ecin përpara me negociatat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button