Site icon PORTALB

Liderët e “Ballkanit të Hapur” megjithatë vendosën të marrin pjesë në Samitin e BE-së

Aleksandar Vuçiq - Dimitar Kovaçevski - Edi Rama, foto: Suad Bajrami

Aleksandar Vuçiq - Dimitar Kovaçevski - Edi Rama, foto: Suad Bajrami

Tre liderët e Ballkanit të Hapur, Dimitar Kovaçevski, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq megjithatë, sot vendosën që të marrin pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, pasi paraprakisht nuk donin të merrnin pjesË, për shkak se siç deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në kushtet kur Bullgaria po mban peng gjithë Evropën dhe duket gjithnjë e më e sigurt se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin një tjetër “Jo” nga BE-ja, atëherë liderët e rajonin nuk kanë çfarë kërkojnë në Bruksel, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Kovaçevski përmes profilit të tij në Facebook, njoftoi se ai, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq morën sot vendim për të riafirmuar qëndrimin se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia kanë të ardhme evropiane, dhe këtë ta bëjnë në Samitin e nesërm.

“Nëse nuk sigurohet ecuria e procesit të integrimit evropian, do të jetë problem serioz dhe një goditje për besueshmërinë e BE-së në Ballkan. Pikëpamjet tona për këtë temë do t’i përcjellim bashkërisht, në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, në një forum të gjerë, në qendër të diplomacisë evropiane”, shkroi Kovaçevski.

Të njëjtën e konfirmoi edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili përmes profilit në Twitter tha se megjithëse “nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne2, do të marrin pjesë në Samit.

“Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të ri politik evropian që ne e mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që e shkatërron atë”, shkroi Rama.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë.

Exit mobile version