Fermerët kanë vështirësi të shesin grurin në Ukrainë

Qeveria ukrainase dhe liderët e disa vendeve teksa po kërkojnë një rrugë alternative për të transportuar në vendet evropiane mijëra tonë stoqe të drithit të “bllokuar nga Rusia” në portin Odessa, fermerët ukrainas po kërkojnë zgjidhje të reja për tregtimin e produkteve që u kanë mbetur nëpër depot e tyre, shkruan Anadolu Agency (AA).

Nga njëra anë teksa vazhdon lufta e Rusisë me Ukrainën, në anën tjetër popullata në fshatrat pranë vijave të frontit në lindje të Ukrainës nuk largohet nga arat e tyre me grurë pavarësisht rrezikut të sulmit.

Në rajonet Luhansk dhe Donetsk, popullata në vendbanimet në rajonet nën kontrollin e qeverisë ukrainase që janë në objektivin e bombardimeve ruse, vazhdon të merret me punë bujqësie pavarësisht të gjitha vështirësive.

Në zonat ku depot e mëdha të grurit janë objektiv i sulmeve ajrore ruse, fermerët për arsye sigurie hezitojnë t’u tregojnë personave që nuk njohin hambaret që ata kanë.

Për shkak të luftës që vazhdon në Ukrainë e cila ka rëndësinë si një depo drithi për Evropën, fermerët kanë vështirësi të shesin rezervat e grurit që u kanë mbetur në depo prej vitit të kaluar, ndërkohë që ato po përgatiten për korrjen e re pas 20 ditësh.

– “Po të mos kishte filluar lufta, në shkurt do të kishim shitur të gjitha korrjet në hambare”

Fermeri 34-vjeçar Maksim Vorobyov, i cili jeton në fshatin Mykolaipillya në afërsi të qytetit Kramatorsk në Donetsk dhe i cili pak kohë më parë ishte objektiv i sulmeve ruse, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se vazhdojnë të merren me bujqësi pavarësisht rrezikut të sulmeve.

“Në periudhën para luftës ishte shumë më e lehtë shitja e produkteve që kishim, pasi përreth fshatit ku jetojmë ndodhen 3 qytete, përfshirë Kramatorsk”, tha Vorobyov duke tërhequr vëmendjen se kompanitë e mëdha vinin në rajon për blerjen e grurit të kultivuar këtu.

“Për shkak të luftës është prishur zinxhiri logjistik në rajon dhe nuk funksionon si më parë”, thekson Vorobyov i cili shtoi se “Jemi të detyruar të ruajmë korrjet që kemi. Po të mos kishte filluar lufta, në shkurt do të kishim shitur të gjitha korrjet në hambare”.

“20 ditë më pas do të mblidhen produktet e reja. Po bëjmë përgatitje për këtë. Kallinjtë e grurit po spërkaten me ilaçe”, tha Vorobyov duke shtuar se kanë filluar përgatitjet për mbledhjen e grurit të ri në ara.

– “Po kërkojmë blerës të rinj”

Vorobyov vuri theksin se në magazinën e tyre në fshat kanë tonelata grurë, se në të njëjtën kohë presin edhe korrjet dhe se po përpiqen të gjejnë blerës të rinj dhe të zgjidhin vetë problemet e tyre logjistike të prekura negativisht nga lufta.

Duke ndarë informacionin se kompani të ndryshme kanë hapur kanale të reja për dërgimin e drithërave në Evropë, Vorobyov tha se produktet e tyre mund të dërgohen në një mënyrë më të lehtë nga Polonia, Moldavia dhe Rumania në vendet në qendër të Evropës.

Sipas tij, në një distancë prej 15 kilometrash nga fshati kanë ndodhur luftime. “Sigurisht që ka rreziqe të mëdha. Disa familje janë larguar nga zona. Por, shumica e fermerëve mbrojnë arat dhe korrjet e tyre”, u shpreh Vorobyov.

Ai tha se ata mbajnë një sasi drithi për “ditë të këqija” të mundshme. “Tashmë do të vijë korrja e re dhe sipas kësaj do të gjejmë rrugë të reja për tregtimin”, theksoi Vorobyov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button