Meta i hap rrugë Bajram Begajt drejt Presidencës, firmos ‘live’ lirimin nga detyra

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta nuk ka nguruar të firmosë lirimin nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Bajram Begajt, duke i hapur rrugë kështu kandidimit për të qenë gjenerali kreu i ri i shtetit, transmeton Top-Channel.

Meta firmosi nga Stambolli, ku ndodhet në një vizitë zyrtare, dekretin për lirimin nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, të gjeneralmajor Bajram Begaj.

Bajram Begaj dorëzoi këtë paradite pranë ministrit të Mbrojtjes, dorëheqjen nga posti i shefit të shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Lajmi u bë me dije në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, nga kreu i grupit Taulan Balla, i cili ftoi presidentin aktual të mos bëhet pengesë në këtë procedurë, por të firmosë lirimin e tij nga detyra.

Në një reagim nga zyra e shtypit të Presidencës, shkruhej se presidenti Meta ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e zotit Bajram Begaj si President i ri i Republikës dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.

Hapi i radhës tashmë është mbledhja e Komisionit të Ligjeve, që nis në orën 16:00 dhe do të shqyrtojë kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit që propozuan socialistët një ditë më parë.

Më pas, në orën 18:00 do të nisë seanca në Kuvend. Sot do të jetë raundi i katërt i procesit për zgjedhjen e Presidentit, por i pari ku ka një kandidat, emri i të cilit depozitohet në kuvend. Në këtë raund mjaftojnë 71 vota, që mazhoranca i ka, për të caktuar kështu pasardhësin e Ilir Metës, që dorëzon detyrën në 24 korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button