Site icon PORTALB

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani për vizitë dyditore në Japoni

Bujar Osmani, foto nga Portalb.mk

Shefi i diplomacisë Bujar Osmani, me ftesë të homologut të tij japonez, Yoshimasa Hayashi, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Japoni, njoftoi MPJ, transmeton Portalb.mk.

Përveç takimit me Hayashin, Osmani do të pritet edhe nga princi i kurorës së Japonisë, Akishino, ndërsa do të ketë takime të ndara me kryetarët e Dhomës së deputetëve dhe Dhomës së këshilltarëve të Parlamentit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda dhe Akiko Santo.

“Ministria e Punëve të Jashtme informon se Osmani do të organizojë biznes-forum me Organizatën japoneze të tregtisë së jashtme (JETRO), ku do të prezantojë përfitimet e investimit në Maqedoninë e Veriut para kompanive të njohura japoneze si Honda, Mitsubishi, Nippon Koei. Po ashtu, ministri Osmani do të ketë takim edhe me ministrin për ‘Osaka EXPO 2025’, Kenji Vakamija”, shtuan nga Ministria.

Qëllimi i vizitës, njoftoi MPJ, është avancimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet afariste.

“Në të njëjtën kohë, do të shkëmbehen mendime për situatën aktuale të sigurisë në kontinentin evropian dhe indo-paqësor, prioritetet e politikës së jashtme të të dy vendeve, si dhe për çështjet aktuale ndërkombëtare dhe temat rajonale”, informuan nga MPJ.

Ministria informoi se nga Tokio, Osmani do të udhëtojë për në Uashington, ku do të udhëheqë delegacionin qeveritar në kuadër të Dialogut strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së.

Exit mobile version