Kovaçevski për takimin me Petkovin: Do të bisedojmë për progresin e bisedimeve mes MPJ-ve

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili sot ndodhet në Vatikan dhe Romë me rastin e përkujtimit të vëllezërve Kirili dhe Metodi, ka konfirmuar se sot pasdite do të takohet me kryeministrin bullgar Kiril Petkov, por pa detaje se çfarë do të bëhet konkretisht, transmeton Portalb.mk.

“Unë dhe kryeministri bullgar kemi komunikim të rregullt për tema të ndryshme dhe duke qenë se edhe ata janë në Romë, do të kemi një takim për të diskutuar për ecurinë e bisedimeve ndërmjet Ministrive të Jashtme”, tha Kovaçevski pas takimit me Papa Françeskun në Vatikan.

Kryeministri Kovaçevski filloi programin e vizitës në Selinë e Shenjtë me takim tet-a-tete me Papa Françeskun.

Programin për nder të 24 majit – Ditës së vëllezërve Kirili dhe Metodi, më 23 maj, delegacioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta kompletojë me një kurorë lulesh në pllakën përkujtimore në gjuhën maqedonase në bazilikën e Santa Maria Maggiore dhe me një program të përshtatshëm kulturor dhe artistik në të cilin do të marrin pjesë edhe artistët tanë të shquar që jetojnë dhe punojnë në Itali, njoftuan nga qeveria.

Në njoftimin e Qeverisë së RMV-së thuhet se më 24 maj, pjesa zyrtare e programit fillon me homazhe përpara varrit të Shën Kirilit në Bazilikën e Shën Klementit, ku Mitropolitanët Pimen dhe Josif do të mbajnë lutje për nder të Shën Kirilit, ku do të marrë pjesë i gjithë delegacioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Pjesa e punës nga vizita në Itali më 24 maj përfshin takimin e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë Dimitar Kovaçevski me kryetarin e Këshillit të ministrave të Italisë Mario Dragi. Në kuadër të vizitës së punës, më 23 maj, kryeministri Kovaçevski do të takohet me kryeministrin bullgar Kiril Petkov”, thuhet në komunikatë.

Nga Qeveria dje konfirmuan se kryeministrat e Maqedonisë dhe Bullgarisë, Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov, do të takohen sot në kuadër të një vizite pune në Itali.

“Dnevnik.bg” thekson se ky udhëtim i kryeministrave do të shënojë ngërçin mes dy vendeve dhe veton bullgare për fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe se sipas informacioneve të pakonfirmuara, para disa kohësh është biseduar për Petkovin dhe Kovaçevskin që gjatë kohës së këtij udhëtimi të shpallin përparimin në bisedime apo zgjidhje që do të çonte në heqjen e vetos.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button