Ministria për Arsim dhe Shkencë ka premtuar që prej shtatorit të këtij viti do të pranohen nxënësit në shkollën fillore “Mihal Grameno” në fshatin Bllacë, transmeton Portalb.mk.
“Nga shtatori i këtij viti, fëmijët e moshës shkollore nga fshati Bllacë e Poshtme i komunës së Çuçer Sandevës nuk do ta ndjekin më mësimin në shtet tjetër, përkatësisht në një zonë kufitare në Kosovë ku gjendet shkolla e tyre më e afërt, por do të mësojnë në një objekt në vendlindjen e tyre që është në ndërtim e sipër dhe aktivitetet ndërtimore janë kah fundi”, deklarojnë nga MASH-i.
Nxënësit e këtij fshati që shtrihet në territorin e Maqedonisë së Veriut, çdo ditë kanë udhëtuar në këmbë përmes pikës kufitare për të kaluar në komunën më të afërt të Kosovës, në Hanin e Elezit. Shumica e nxënësve të këtij fshati deri më tani kanë ndjekur mësimin në shkollën fillore “Ilaz Thaçi” në Hanin e Elezit.
“Me këtë investim ne i japim fund një absurditeti dhe një padrejtësie për nxënësit tanë të cilëve shteti duhet t`u sigurojë kushte për mësim dhe jo t`i detyrojë të mësojnë jashtë kufijve të vendit”, deklarojnë nga Ministria.
Raportohet që shpenzimet për ndërtimin e këtij objekti raportohet janë 4.7 milionë denarë, punime që kishin filluar vitin e kaluar, përkundër se ishin premtuar shumë më herët.