Më 2 qershor do të mbahet Dialogu strategjik në Uashington mes ShBA – së dhe RMV-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mbajti një konferencë për media me rastin e 14 vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik me ShBA-në, në pragë të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të mbahet më 2 qershor në Uashington, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se, Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që do të realizojë Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara, që është një sukses i madh diplomatik, por edhe pjesë e rëndësishme e përmbushjes së interesave tona strategjike në përputhje me kursin euroatlantik të vendit.

“Dialogu Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara është një konfirmim i kësaj aleance të fuqishme mes dy vendeve dhe në të njëjtën kohë një forum i rëndësishëm që do të sigurojë përmirësimin e partneritetit strategjik, forcimin e bashkëpunimit dhe në një farë mënyre ngritjen e marrëdhënieve bilaterale në një nivel më të lartë. Kjo do të nënkuptojë definim të bashkëpunimit bilateral në një formë të mirëfilltë institucionale, të udhëhequr nga diplomatët e të dy vendeve, që në plan afatmesëm dhe afatgjatë sigurisht që do të kontribuojë në forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit në një numër më të madh sferash”- theksoi Osmani.

Në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme tashmë është krijuar grup pune nga diplomatë me përvojë, të cilët do të punojnë për përgatitjen e suksesshme të Dialogut Strategjik; ndërsa javën e ardhshme do të formohet grup pune më i gjerë ndër-resorial, ​​i cili do të përfshijë një numër të madh përfaqësuesish nga disa ministri, institucione dhe agjenci në vend, dhe i cili do të ketë për detyrë të përcaktojë propozimet dhe planet konkrete dhe të detajuara që do të diskutohet gjatë Dialogut Strategjik.

Dialogu Strategjik do të përfshijë tema nga marrëdhëniet dypalëshe, por edhe ato që janë me interes të madh global. Fokusi do të jetë në mbrojtjen dhe bashkëpunimin ekonomik, tregtinë dhe investimet, por edhe arsimin, transportin, energjinë, ndryshimet klimatike, zhvillimin demokratik, luftën kundër korrupsionit, Sundimin e ligjit etj.

Nga MPJ thanë se, me zhvillimin e Dialogut Strategjik, Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara hyjnë në një fazë të re në ndërtimin e marrëdhënieve, e cila është veçanërisht e rëndësishme jo vetëm për vendin, por për rajonin në tërësi, veçanërisht në kontekstin e sfidave aktuale të sigurisë. Në të njëjtën kohë, është shprehje e përpjekjeve tona të përbashkëta për të forcuar lidhjet dhe për të promovuar vlerat e përbashkëta për zhvillim demokratik dhe stabilitet në rajon, i cili nënkupton pjesë integrale të komunitetit euroatlantik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button