Nuk besoj të ketë të tjerë si ne shqiptarët, që vetëdijshëm fusim në harresë veprimtarë të çështjes kombëtare, personalitete të shquara të kulturës, artit dhe shkencës. Një i tillë është pa dyshim Hafiz Ali Korça – kleriku atdhetar, shkrimtari, poeti, publicisti, përkthyesi dhe pedagogu, krijimtaria e të cilit u la pas dore për dekada të tëra.
Hafiz Ali Korça lindi në Korçë (1873), kurse vdiq në Kavajë (1957). Pas shkollimit fillor dhe studimeve në gjuhën turke, u inkuadrua në Levizjen kombëtare dhe u bë mësues në shkollën shqipe të djemve në Korçë. Zëri i tij i arsyeshëm dhe gjithmonë në favor të Shqipërisë u dëgjua fuqishëm në Kongresin e Dibrës dhe atë të Elbasanit (1909), ku u vunë themelet e arsimit kombëtar. Krahas aktiviteteve si kryemifti, kreu dhe detyra të tjera të rëndësishme për shoqërinë shqiptare të kohës. Qe drejtor i Arsimit për Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Dibrën…; anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës; përkthyes kryeveprash të Orientit, si: Gjylistani dhe bostani e Saadiut dhe Rubairat e Khajamit. Me veprën Bolshevizma a çkatërrim i njerëzimit, Ali Korça u bë sfiduesi i parë shqiptar i komunizmit.
Vepra e tij është pasqyra e sakrificave që bëri për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha e huaj dhe bashkimin e trojeve të copëtuara shqiptare. Ai bën pjesë në mesin e klerikëve që luftoi hipokrizinë e osmanlinjëve dhe politikat antishqiptare. Kjo e futi në listën e të përndjekurve nga hafijet dhe mashat e pushtetit të kohës që, gjatë një udhëtimi në Stamboll, e burgosi për shkak se kishte marë me vete gazeta shqipe dhe libra të ndaluar, si: Historia e Skënderbeut apo Qerbelaja e Naim Frashërit.
Rreptësia e betejave të pakompromis të Hafiz Ali Korçës për një Atdhe të shpëtuar nga kthetrat e tjetrit ndihet në veçanti në disa prej fjalimeve të zjarrta, si ai që mbajti në Kongresin e Dibrës, më 23 korrik të vitit 1909, ku në prani të xhonturqëve kubarë, shtroi disa kërkesa të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë:
- të rinjtë shqiptarë të mos dërgohen nga osmanët për të lënë eshtrat në shkterëtirat arabe;
- të lirohen nga burgjet të gjithë të burgosurit shqiptarët “reaksionarë” dhe
- të hapen pa vonesë në gjithë Shqipërinë shkollat shqipe.
Gjatë arsyetimit të kërkesës së fundit, ai mes tjerash tha: …Fqinjët tanë nga an e arsimit kanë arrirë shkallën më të lartë, e na, për fat të keq, kemi mbetur si populli i Afrikës së mesme. Kur në Shqipëri tërë gjuhët mësohen, përse të mos mësohet edhe gjuha jonë?
Ndër kërkesat tjera të H. A. Korçës qenë dhe këto:
- të hapet një shkollë pedagogjike që do të përgatisë kuadrin mësimdhënës të shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe;
- të hapen edhe shkolla te mesme profesionale (të zanateve të ndryshme);
- të hapet fakulteti i shkencave dhe shumë kërkesa të tjera të padëgjuara më parë nga veshët e xhonturqve.
Betejë më vete qe dhe ajo që Hafiz Ali Korça bëri për alfabetin latin të shqipes, duke ua bërë me dije mallkuesve të ABC-së se shkronjat që kemi pranuar janë vegla me të cilat shkruhet gjuha jonë. Kjo nuk do të thotë se ne i urrejmë shkronjat arabe me të cilat e mësojmë Kur’anin. Por meqë statuti shtetëror për të kënduar gjuhën e mëmës po na len të lirë, atëherë me gëzim të madh do të këndojmë gjuhën tonë me këto shkronjat e saja sa asnjë fuqi nuk mund të na i ndalojë… Shkronjat e një gjuhe nuk kanë të bëjnë as me fenë as me halifenë. Shkronjat janë vegla: s’jane as mumin, as qafir…
Kulmi i veprimtarisë së tij atdhetare qe formimi i një çete kryengritësish në Devoll, pas vrasjes mizore të Haxhi Zekës, organizatorit të kryengritjes antiosmane në Kosovë (1884-1885), nga dora e renegatit serb Adem Zajmi, për çka shkroi dhe bashkëluftëtari i H. A. Korçës Mihal Grameno: Shumë u larguan nga frika, po Orhani me Vani Kosturin, Thimi Markon, Petro Ninin, Hafëz Alinë e ca pak të tjerë, qëndruan burërisht kur më 1903 qeveria turke duke dëshiruar ta çfarosë lëvizjen shqiptare i burgosi dhe lidhur i dërgoi në Stamboll ku u dënuan për tradhëtinë e mbretërisë…
Ky është në vija te trasha portreti i shkurtër i Hafiz Ali Korçës – njërit ndër 2-3 imamët më eruditë dhe më të respektuar shqiptarë, i cili nuk e identifikoi fenë me pushtuesit, ndaj (këtë e thonë studiuesit e jetës dhe veprave të tij) më tepër i interesonte e ardhmja e Atdheut se shpërbërja e perandorisë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.