RMV, burimet e rinovueshme të energjisë janë alternativa e vetme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit

Ulje e varësisë së vendit nga importi i energjisë elektrike, por edhe reduktimi i ndotjes së ajrit, veçanërisht në muajt e dimrit kur është aktuale ngrohja e objekteve me lëndë djegëse fosile, janë ndër prioritetet kryesore që duhet ta çojnë vendin në përmbushjen e objektivave të Strategjisë për energjetikë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Përqendrimi në burimet e rinovueshme të energjisë, veçanërisht në përdorimin e energjisë nga dielli ose era, mund të sjellë përfitime të shumëfishta për qytetarët – energjetike, ekonomike, financiare dhe ekologjike. Nga ana tjetër, përdorimi i qymyrit si energji e ankoron vendin në fund të shteteve ndotëse, popullsia e të cilit lufton për ajër të pastër dhe adreson sfida të shumta shëndetësore, veçanërisht në rajonet ku ndodhen objektet e energjisë me lëndë djegëse fosile.

Organizatat e shoqërisë civile në vend theksojnë se prodhimi i energjisë elektrike në termocentrale rezulton me emetim të madh të gazrave serrë dhe pluhurit. Më shumë se 50 për qind e nevojave të vendit për energji elektrike plotësohen nga lëndët djegëse fosile, një proces që çliron gazra serë që ndotin drejtpërdrejt dhe ndikojnë në ndryshimet klimatike.

Nga Qendra për hulumtim dhe informim për ambient jetësor “Eko vetëdija” thonë se termocentralet e qymyrit Oslomej dhe Manastir vazhdimisht i tejkalojnë vlerat e lejuara për dioksid squfuri dhe pluhur. Në vitin 2020, këto termocentrale me qymyr emetuan 86,700 ton SO₂, pothuajse 5,5 herë më shumë se 15,855 tonë të lejuar, për çka planifikimi i energjisë për të ardhmen duhet të bazohet në burime të pastra dhe të rinovueshme.

“E vetmja alternativë, për të cilën jemi angazhuar si vend me më shumë angazhime rajonale dhe që është futur në strategjitë kombëtare, është dekarbonizimi i ekonomisë dhe kthimi drejt burimeve të rinovueshme të energjisë. Vazhdimi i varësisë nga thëngjilli që nuk e kemi dhe agonisë së Manastirit dhe Kërçovës duke jetuar në një mjedis jashtëzakonisht të ndotur që tekstualisht u kushton jetë fëmijëve të tyre, ndërsa u jep atyre vetëm siguri të rreme ekonomike afatgjatë, është vetëm humbje kohe derisa po blihet paqja sociale në kurriz të shëndetit të qytetarëve”, thotë Nevena Smilevska nga “Eko vetëdija”.

Ajo thekson se kriza aktuale energjetike na ka kujtuar se nuk kemi bërë asgjë për zhvillimin real të sektorit të energjisë në 30 vitet e fundit, gjë që na bën të varur plotësisht nga lëndët djegëse fosile. Kombinimi i këtyre dy faktorëve na bën të kalojmë në një krizë më të rëndë energjetike dhe një barrë më të rëndë financiare për qytetarët.

Kriza energjetike me të cilën u përballëm me pandeminë kovid-19 na ka treguar se furnizimi me qymyr është gjithashtu një sfidë, pasi burimet janë varfëruar. Së fundmi, “Eko vetëdija” ka reaguar ndaj njoftimeve se planifikohet hapja e një miniere të re qymyri, Zhivojno, hap që u vlerësua si i mbrapsht në një kohë kur u miratua Strategjia e Zhvillimit të energjetikës deri në vitin 2040 dhe po punohet në Planin Kombëtar të energjisë dhe klimës. Këto plan-dokumente, sipas ambientalistëve, tregojnë qartë nevojën për transformim të përshpejtuar të energjisë dhe largim nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile.

Minierat e qymyrit në mbarë botën, madje edhe në vend, po shkatërrojnë komunitetet rreth të cilave operojnë dhe po ndotin ajrin me përdorimin e tij. Pasojat për shëndetin e njeriut janë të pamatshme, duke rezultuar në sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të frymëmarrjes, astma dhe frymëmarrje të rënduar tek fëmijët.

Qendra për Ndryshime Klimatike gjatë viteve të fundit ka kryer hulumtime për shkallën e morbiditetit në dy rajone të vendit, atë të Pellagonisë dhe atë Juglindor. Rezultatet tregojnë se në Manastir shkalla e morbiditetit është 206 për 100.000 banorë, ndërsa në Gjevgjeli është 158.6 për 100.000 banorë. Nga ana tjetër, shkalla mesatare e morbiditetit në vend është 165.9 për 100 mijë banorë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button