Site icon PORTALB

Kovaçevski: Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit e shënojmë si ndër shtetet më të vlerësuara në rajon

Dimitar Kovaçevski, foto Qeveria

Dimitar Kovaçevski, foto Qeveria

Këtë vit, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit e shënojmë si vend që ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në listën e “Reporterëve pa Kufij”, shkroi në profilin e tij në Facebook kryeministri Dimitar Kovaçevski në lidhje me renditjen e fundit të vendeve në botë sipas Indeksit global të lirisë së mediave 2022 të Reporterëve pa Kufij, transmeton Portalb.mk.

“Sipas indeksit të lirisë së shtypit, i cili është publikuar në raportin për vitin 2022, Maqedonia e Veriut ka shënuar kërcim prej 33 vendesh, gjegjësisht nga vendi 90 në të 57-in. Kjo renditje e re e pozicionon vendin tonë ndër shtetet më të vlerësuarit në rajon”, shkroi në Facebook kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ai në postimin në Facebook ka falënderuar gazetarët dhe punonjësit e mediave për, sip thotë ai, punën e tyre të përkushtuar, duke i porositur që të vazhdojnë në mënyrë profesionale ta zhvillojnë punën e tyre.

“Jo shumë kohë më parë kemi qenë dëshmitarë se liria e rrezikuar e mediave është hapi i parë drejt sundimit autokratik dhe të gjitha pasojat negative të një qeverisjeje të tillë. Qeveria e LSDM-së në pesë vitet e fundit ka treguar kapacitet të jashtëzakonshëm demokratik dhe respekt për mediat dhe punonjësve mediatik, duke e ushqyer lirinë e shprehjes si e drejtë dhe vlerë kryesore në shoqëri”, theksoi kryeministri Kovaçevski.

Sipas Indeksit global të lirisë së mediave 2022 të Reporterëve pa Kufij, Maqedonia e Veriut ka shënuar një kërcim pozitiv prej 33 vendesh. Vendi sivjet është në vendin e 57-të krahasuar me vitin e kaluar kur zuri vendin e 90-të.

Sipas renditjes së sivjetshme, Maqedonia e Veriut është në grupin e vendeve me situatë problematike në të cilën janë ende 68 vende të tjera nga gjithsej 180.

Exit mobile version