Prokuroria ende i analizon provat e Spitalit Modular të Tetovës, Joveski pret që së shpejti rasti të ketë epilog

Kanë kaluar mbi 7 muaj që nga dita tragjike kur në Spitalin Modular të Tetovës shpërtheu zjarr dhe si pasojë humbën jetën 14 pacientë, të cilët po trajtoheshin për COVID-19. Prokuroria gjatë gjithë kësaj periudhe, ende nuk ka arritur që të mbarojë me analizën e provave. Prokurori Lubomir Joveski thotë se së shpejti, Prokuroria e Tetovës, duhet të dalë me vendim, njofton Portalb.mk.

“Analiza e provave të mbledhura vijon. Prokurorët publik, pas konstatimit të plotë të fakteve në lëndën në fjalë, do të miratojnë vendim për të cilën menjëherë do të njoftohet opinioni”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria e Maqedonisë së Veriut, duke i treguar dhe aktivitetet të cilat i kanë ndërmarrë për mbledhjen e provave.

Nga ana tjetër, kryeprokurori publik, Lubomir Joveski, duke u përgjigjur në pyetje të deputetëve në seancë kuvendore, ka theksuar se së shpejti pret që Prokuroria e Tetovës të miratojë vendim në lidhje me këtë ngjarje.

“Ju garantoj që Prokuroria tërësisht e a hetuar këtë rast dhe do të japë përgjigje për dilemat e paraqitura konkrete për përgjegjësitë eventuale të personave të caktuar.. Përveç kësaj, Në pjesën e veprimit objektiv të Prokurorisë dua të ju informoj se u formua që atëherë grup pune në Prokurori nga ana e prokurorëve i cili u ka ndihmuar prokurorëve nëse kanë pasur çështje juridike ose tjera që nuk munden vetë t’i zgjidhin”, deklaroi Joveski.

Prokuroria Themelore Publike paraprakisht ka njoftuar se është kryer analiza e raportit nga ekspertiza e kryer nga Krim-Teknika e MPB-së në lidhje me zjarrin.

“Nga analiza që u e kryer gjurmëve nga dëmtimet e zjarri, dinamikës së shpërndarjes së zjarrit dhe në bazë të dëmtimeve të inventarit dhe hapësirave, duke i marrë parasysh dhe njohuritë e marra për veprimet para dhe gjatë shpërthimit të zjarrit, ekspertët e kanë konstatuar lokacionin, por edhe arsyen e mundshme për shpërthimin e zjarrit. Me ekspertizën konstatohet se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një lidhje të shkurtër elektrike në kabllon e defibrilatorit me të cilin është kryer reanimimi i një pacienti në njërën nga dhomat e spitalit. Nxehja e tepërt e kabllos ka shkaktuar djegie në kutinë kyçëse i kabllos vazhdues në të cilin ka qenë i kyçur defibrilatori, një karikues telefoni dhe një aparat tjetër”, kanë thënë nga Prokuroria.

Deri më tani askush nuk është thirrur në përgjegjësi penale, pavarësisht jetëve të humbura askush nuk është thirrur as në përgjegjësi morale.

Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?

Nuk e dimë ende se materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit, edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet. Spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë?

Nuk dihet se kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit. Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por nuk i ndan me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.

Çështja tjetër, e cila gjithashtu është skandaloze, e për të cilën deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi është se në mesin e viktimave ka pasur edhe dy familjarë të pacientëve që janë kujdesur për familjarët e tyre. Kjo nënkupton që brenda spitalit ku trajtoheshin pacientët me Covid-19 ka pasur edhe familjarë të cilët aty kanë qëndruar me dijeni të personelit dhe administratës së spitalit, e cila është reptësisht e ndaluar.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button