Rritja e transparencës dhe përputhshmërisë si një mënyrë për të rritur besimin te partitë politike në Maqedoninë e Veriut

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut vazhdimisht renditen në fund sa i përket besimit të qytetarëve në institucionet dhe organizatat. Zhgënjimi i qytetarëve me partitë, synimet dhe performancën e tyre në qeverisje ka rezultuar me nivele të larta apatie, pjesëmarrje të ulët të votuesve dhe emigrim nga vendi.

Burimi: ResPublica

Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) ka punuar me partitë politike në Maqedoninë e Veriut në ngritjen e kapaciteteve për organizimin e brendshëm, hartimin e politikave dhe kapacitetet kërkimore si dhe në fusha të tjera që mund t’i ndihmojnë ato t’u shërbejnë më mirë qytetarëve. Pas ndryshimeve ligjore në vitin 2019, respektivisht miratimit të një Ligji të ri për Qasjen e Lirë në Informacionin Publik, i cili përfshinte partitë politike si bartës të informacionit publik, IRI identifikoi nevojën për të mbështetur partitë politike për të përmirësuar respektimin e detyrimeve të reja lidhur me transparencën financiare.

Si pjesë e kësaj mbështetjeje, IRI zhvilloi trajnime për partitë mbi detyrimet e tyre ligjore në lidhje me transparencën financiare, mbështeti hulumtime të politikave të bazuara në prova mbi transparencën financiare dhe financimin e partive, ka trajnuar zyrtarët e partive për transparencën financiare, asistoi disa parti në përmirësimin e faqeve të tyre të internetit me të dhëna financiare dhe ndër të tjera, sponsorizoi një vizitë studimore shumëpalëshe në Mbretërinë e Bashkuar (MB) mbi transparencën financiare të partive politike.

Në vizitën studimore morën pjesë përfaqësues nga katër partitë më të mëdha politike, LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, ASh, si dhe përfaqësues nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion Publik. Nëpërmjet takimeve me Drejtuesit për Përputhshmëri në Partinë Konservatore, Laburiste dhe Partinë Liberal Demokratike, Kryetarin e Komisionit për Standardet në Jetën Publike, Partneritetin e Qeverisjes së Hapur, anëtarët e Parlamentit, ekspertët e financave dhe zgjedhjeve, grupi mësoi për praktikat e pajtueshmërisë dhe transparencës së partive dhe si garantohet pajtueshmëria (përputhshmëria) nga rregullatorët.

Komunikimet me zyrtarët dhe politikanët e Mbretërisë së Bashkuar ofruan mësime dhe perspektivë nga MB-ja si një vend me nivel të lartë të transparencës dhe përputhshmërisë financiare. Në vazhdimësi, ne siguruam një përmbledhje mbi gjendjen në vendin tonë për këtë çështje dhe çfarë përvojash mund të marrim nga kjo vizitë për të përmirësuar pajtueshmërinë dhe transparencën në vend.

Çfarë është situate te ne në lidhje me transparencën financiare të partive?

Vizita në Mbretërinë e Bashkuar na ka mësuar një gjë: Maqedonia e Veriut nuk qëndron aq keq sa i përket kornizës ligjore që kanë të bëjnë me transparencën dhe aksesin në informacionin publik. Arsye për të menduar në këtë mënyrë do të ishte fakti se për dallim nga Britania e Madhe, në Maqedoninë e Veriut sipas nenit 3 të Ligjit për Qasje të Lirë në Informacionin Publik, partitë politike përkufizohen si “posedues (bartës) të informacionit publik”. Kjo do të thotë se partitë politike janë të obliguara që jo vetëm të paraqesin llogaritë përfundimtare të vitit, donacionet dhe raportet e fushatës, por janë të obliguara edhe të marrin në konsideratë çdo kërkesë të qytetarëve apo mediave për informacion në lidhje me të hyrat dhe shpenzimet e tyre.

Megjithatë, siç pritej, ekzistojnë probleme me transparencën e partive politike në Maqedoninë e Veriut. Ligjet që mandatojnë publikimin e raporteve financiare nuk rregullojnë formatin në të cilin dorëzohen ato raporte, prandaj, ajo që zakonisht ndodh është që partitë politike publikojnë raporte në faqet e tyre të internetit, por atë e bëjnë në formate që priren të jenë jo miqësore për përdoruesit, duke ua vështirësuar kështu qytetarëve apo mediave leximin dhe analizën e të ardhurave dhe shpenzimeve që bëjnë partitë politike. Kjo është arsyeja pse, megjithëse nominalisht plotësohen kriteret e transparencës, në terma realë nuk plotësohet niveli i dëshiruar i transparencës, siç do të ishte rasti me të dhënat e publikuara në faqen e internetit të Komisionit Zgjedhor të Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo është ndoshta një nga arsyet pse qytetarët kanë pak besim te partitë politike, dhe ky është një përfundim i trishtuar. Nisma e vazhdueshme e ndërmarrë nga IRI për të përmirësuar transparencën e partive politike në Maqedoninë e Veriut duket të jetë një qiri shprese dhe ne mbetemi me shpresë se do të tregojë rezultate pozitive.

Çfarë mund të aplikojmë?

Në Maqedoni, ndonëse Enti Shtetëror i Revizionit ka obligim të publikojë raportet e partive politike, ato nuk janë as afër asaj që duhet të jetë një format i strukturuar dhe analitik. Detyrimet ligjore për publikimin e të dhënave të partive politike në Mbretërinë e Bashkuar janë përgjegjësi e organit shtetëror rregullator/mbikëqyrës, Komisionit Zgjedhor, dhe e bëjnë atë në mënyrë shumë analitike dhe më e rëndësishmja në formate të hapura të të dhënave që janë lehtësisht të aksesueshme dhe besueshmëria e të cilave varet në masë të madhe nga besimi që qytetarët kanë në partitë politike.

Duke aplikuar këtë model në Maqedoni, ku vetëm një institucion shtetëror do të krijojë një sistem të unifikuar në të cilin të dhënat për financimin e partive politike mund të futen dhe përpunohen lehtësisht, do të krijohen standarde të reja që partitë politike në Maqedoni do të obligohen t’i ndjekin dhe respektoj ato dhe më e rëndësishmja me një sistem të tillë qytetarët do të kenë një besim më të madh te partitë politike.

Por pas zbatimit eventual të kësaj praktike të mirë, ndoshta vijon veprimi më i rëndësishëm. Përputhshmëria me rregulloret në MB është thelbësore për të gjithë aktorët në shoqëri. Ashtu si në vendin tonë, partitë politike ankohen se autoritetet nuk e kuptojnë dinamikën e partive politike dhe ndonjëherë marrin vendime të paarsyeshme, por çelësi i stabilitetit dhe transparencës është se partitë politike respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe respektojnë fjalë për fjalë normat ligjore. Ka një ndryshim të madh midis sistemeve të vendit tonë dhe atij të vendosur në MB, por kur kërkojmë praktikat më të mira, Britania e Madhe është një vend që shërben si një nga shembujt më të mirë të transparencës financiare të partive politike dhe transparencës së sistemit në përgjithësi.

Përvojat e fituara në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë qartë se kur keni një proces të mirë-vendosur, me rregulla ligjore koncize dhe politika zbatuese efektive, atëherë transparenca ndikon seriozisht në reduktimin e korrupsionit dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Si mund të sigurojnë partitë qeverisëse që të ruajnë dhe avancojnë praktikat e transparencës financiare?

Mënyrat më efektive për partitë në qeverisje për të ruajtur dhe avancuar praktikat e transparencës financiare është riorganizimi i këtyre detyrimeve të partive ndaj institucioneve. Kjo mund të bëhet me reformën legjislative ose bazuar në përvojën nga ajo që pamë në MB gjatë vizitës studimore. Në Maqedoninë e Veriut, disa nga institucionet që mund ta mbajnë këtë përgjegjësi janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Zyra Shtetërore e Auditimit ose Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Një propozim politikash për avancimin e transparencës financiare, duhet të përfshijë një detyrim ligjor për partitë politike të dorëzojnë raporte financiare brenda një afati të caktuar, qoftë ai 3 muaj apo 6 muaj, dhe të bëjnë publike të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me financimin e partive politike.

Pra, besoj se kjo do të jetë metoda më e mirë për ruajtjen dhe avancimin e këtyre praktikave, pra ndryshimet në legjislacionin aktual për përmirësimin e rregullimit të financimit dhe transparencën e raportimit financiar të partive, por edhe të të gjitha subjekteve (private dhe shtetërore) të cilët janë përfitues të fondeve nga buxheti i shtetit. Kjo duhet të arrihet me një konsensus të gjerë politik midis të gjitha partive politike.

Si mund t’i nxitim partitë drejt transparencës?

Lidhja mes parasë dhe politikës është e pashmangshme; megjithatë, ajo krijon një rrezik serioz të tendencave negative si korrupsioni dhe konflikti i interesit. Për të identifikuar dhe tejkaluar këtë sfidë, transparenca si mjeti bazë dhe më efektiv duhet të jetë gurthemeli i financimit të partive.

Me qëllim të sigurimit të transparencës, partitë kanë detyrim ligjor që të përgatisin raporte të sakta dhe të plota financiare për funksionimin e rregullt të partive dhe për fushatat zgjedhore; t’i vënë ato në dispozicion të publikut në një format të kërkueshëm, të përpunueshëm dhe të kuptueshëm; dhe t’i dorëzojnë në kohën e duhur organeve kompetente.

Edhe pse ky është një detyrim ligjor dhe një parakusht i domosdoshëm për kontroll të jashtëm efektiv, duket se është i pamjaftueshëm. Është thelbësore të krijohet një sistem i kontrollit të brendshëm partiak që përfshin llogaridhënie të rregullt financiare ndaj anëtarëve të partisë për të ruajtur besimin në parti. Sistemi i mbikëqyrjes dhe kontrollit duhet të bazohet në tre parime bazë – parandalimin, identifikimin dhe sanksionimin.

Qëllimi kryesor i parandalimit është të inkurajojë personat përgjegjës në çdo nivel të strukturës së partisë si dhe kandidatët që të përshtatin praktikat e tyre në përputhje me kërkesat dhe rregullat e përcaktuara dhe të miratuara më parë. Përveç kësaj, sistemi duhet të përfshijë trajnime të rregullta të brendshme për udhëheqjen e partisë dhe për të gjithë stafin dhe vullnetarët nga sektorë të ndryshëm; përgatitja e raporteve periodike dhe kryerja e një testi periodik të transparencës me një indeks transparence të dizajnuar brenda për të gjitha nivelet, me qëllim identifikimin dhe tejkalimin e mangësive.

Sanksionimi është vendimtar për arritjen e qëllimit. Vetëm me një shkallë më të lartë të përgjegjësisë financiare brendapartiake dhe me një mekanizëm efektiv partiak për mbikëqyrjen dhe kontrollin e financimit, transparenca do të bëhet vlerë reale e partive politike, e jo vetëm një detyrim ligjor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button