Site icon PORTALB

Integrimi i Ballkanit në BE dhe “Ukraina” në fokusin e vizitës së presidentit letonez në RMV

Egils Levic në Shkup

Egils Levic në Shkup

Në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidenti Stevo Pendarovski sot priti Presidentin e Republikës së Letonisë Egils Levic, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Të dy presidentët zhvilluan takim tete-a-tete, pasuar nga një takim plenar i dy delegacioneve.

Bisedimet fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, politikën e zgjerimit të BE-së, sfidat e sigurisë në fqinjësinë e gjerë në kontekstin e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës dhe çështje të tjera aktuale gjeopolitike.

Presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Letonisë për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtme të vendit, duke i përmendur vendet baltike si shembull të shkëlqyer për transformimin e shoqërive përmes procesit të integrimeve evropiane. Integrimi euro-atlantik në Ballkanin Perëndimor sjell siguri të barabartë për kontinentin, siç është rasti me rajonin e Baltikut, tha Pendarovski.

Pas mbledhjes plenare të delegacioneve, është paraparë që të dy presidentët të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.

Edhe kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua me Levits. Kovaçevski në takim theksoi se vizita e tij në Maqedoninë e Veriut është hap më shumë drejt avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe mes të dyja vendeve.

Në takim ku morën pjesë edhe zëvendëskryetarja e Qeverisë e ngarkuar për politika për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska dhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, u theksua se nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike para 26 viteve, dy vendet kanë marrëdhënie jashtëzakonisht miqësore dhe të ngushta me fokus të fuqishëm në dinamizimin e dialogut politik dhe shkëmbimit tregtar.

“Në bisedën me presidentin Levits, kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut vlerëson qëndrimin e Letonisë që është vital procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut të vazhdohet me mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se çështjet me Bullgarinë duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, jashtë procesit aderues. Presidenti i Republikës së Letonisë Egils Levits theksoi në takim se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një çështje e qëndrueshmërisë gjeopolitike për vetë BE-në në kohën dhe rrethanat e shkaktuara nga pushtimi rus në Ukrainë”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Temë bisedimi mes kryeministrit Kovaçevski dhe presidentit Levits ishte lufta në Ukrainë, për të cilën u theksua se është shkelje brutale e së drejtës ndërkombëtare dhe agresion i paprovokuar ushtarak nga Rusia ndaj një shteti sovran dhe se diplomacia dhe dialogu janë të nevojshme për ndërprerjen e veprimtarive ushtarake.

Exit mobile version