Sofja duhet ta rishikojë qëndrimin e saj për Shkupin, konsideron eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit mund të kontribuojë vetëm që Bullgaria dhe i gjithë rajoni të ndjehen më të sigurt, veçanërisht në një situatë të konfliktit ushtarak në kontinentin evropian.
“Interesi strategjik i Bullgarisë është të kufizohet me vende demokratike që mund të ofrojnë hapësirë për siguri, prosperitet dhe mundësi. Gjithmonë në mënyrë tendencioze iu jepet zë njerëzve që duan që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Politikat duhet të ndërtohen për një periudhë pak më të gjatë kohore. Nëse shikojmë nga ky prizëm i marrëdhënieve mes Sofjes dhe Shkupit, më duket se do të gjejmë argumente shumë më serioze që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Kuçuk në një deklaratë për Radion Kombëtare bullgare, raporton MIA.
Është shumë e vështirë, thekson eurodeputeti bullgar, t’u shpjegosh partnerëve evropianë arsyet e ndalimit të rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, veçanërisht pasi nga Bullgaria doli ideja për zgjerimin e saj në Ballkanin Perëndimor.
Për raportuesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk, garancitë evropiane janë e vetmja zgjidhje për çështjet e hapura, raporton BNR.
Kohëve të fundit, zyrtarët bullgar kanë përsëritur qëndrimin se Bullgaria mbetet në të njëjtën linjë, përkatësisht se nuk e ka ndërmend të heqë veton ndaj Maqedonisë, derisa të plotësohen kërkesat e palës bullgare.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
- LEXO: Bashkëkryesues i komisionit maqedono-bullgar: Po shuhen edhe shpresat e fundit për dialog të denjë
- LEXO: Përsëri veto nga Sofja, venitet entuziazmi për zgjidhje të ngërçit RMV-Bullgari në qershor
- LEXO: Departamenti i Shtetit: BE-ja vendos për ndarjen eventuale të negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë
- LEXO: Osmani- Auresku: Fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është i drejtë, i merituar dhe i domosdoshëm
- LEXO: Stejt Departamenti: Bullgaria dhe Maqedonia të negociojnë, ndërsa BE-ja të vendosë për zgjerimin
- LEXO: Bullgaria: Qëndrimi për RMV-në nuk ka ndryshuar