Përplasje identitetesh ballkanike (II)
Sipas Bozeva-Abazit, arsimimi masiv ka qenë një zhvillim vendimtar, por me peshë të njëjtë ishte edhe luajtja në telin “patriotik” të mitologjisë popullore të promovuar sërish nga shteti. Një pjesë e nacionalizmit ishte ndërtimi i identitetit bullgar dhe serb si kundër-turk dhe kundër-musliman: në kapërcyell të shekullit të njëzetë, rekrutët bullgarë praktikonin stërvitje të qitjeve mbi objektiva të palëvizshme të mbuluara me kapelë tradicionale turke, fes. Feja e krishterë ortodokse ka qenë një amalgamë e identitetit; ndërkohë si agjent diferencues veçohej tjetri religjioz. Identiteti i këtyre kombeve para formimit të shteteve moderne ballkanike ka qenë thjesht fetar dhe jo “kombëtar në përmbajtje dhe shprehje” (Kitromilides, 1994). Mobilizuesit e parë të inteligjencies vendase bullgare dhe serbe ishin ose murgj, që shkruanin përmbledhjet e para romantike të historive vendase (Paisij dhe Dositej Obradović në shekullin e tetëmbëdhjetë), ose gjuhëtarë autodidaktë, që modernizuan gjuhën e shkruar bullgare dhe serbe mbi bazën e të folmes bisedore, si Petǔr Beron dhe Vuk Karadžić në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Shkurt, edhe bullgarët edhe serbët e kanë ndërtuar nacionalizmin mbi mite dhe e kanë nxitur te fshatarësia përmes zellit fetar dhe idesë së tjetrit.
Ky libër, që partikularisht flet edhe për ne, duhet lexuar me qasje krahasimtare rreth kontekstit dhe proceseve të kombndërtimit-kombëtarizmës shqiptare të periudhës gjegjëse, me theks të veçantë në qëmtimin në hartën e ndryshimeve të kohës në “Maqedoninë osmane”. Në të ka shumë leksione për ne shqiptarët si komb në fërkim permanent me etnocentrizmin dhe megalomaninë serbe më shumë se një shekull, por edhe lidhur me bullgarizmin si ideologji dhe me aktorët e tjerë të siujdhesës ballkanike. Libri i Bozeva-Abazit, përveç pjesës cilësore, është i pajisur edhe me të dhëna kuantitative, edhe me tabela që në mënyrë ekzakte ilustrojnë rrjedhat historike. Ai është kundërtezë e shkrimit ideologjik të historisë. “Historianët duhet të argumentojnë nga provat dhe jo nga supozimet ose spekulimet”, – thotë autorja.
Kjo vepër, e botuar në anglisht nga Instituti i Historisë Nacionale në Shkup (2007), mund t’u hyjë në punë sociologëve dhe historianëve, por gjithashtu edhe politologëve, antropologëve, studentëve dhe studiuesve të shkencave sociale, para së gjithash atyre që merren me çështjen e identitetit, nacionalizmit, Ballkanit dhe relacionin kombi-feja. Sugjerojmë që leximi i kësaj vepre të bëhet bashkë me Turku imagjinar të Bozhidar Jezernikut (2017), Unë dhe tjetri të Zagorka Golluboviqit (2019) dhe Filozofia e pallangës të Radomir Konstantinoviqit, që së shpejti pritet të dalë nga “fabrika e librit cilësor”, Logos-A. Një lëvdatë publike meriton përkthyesi, Urim Poshka, i cili ka bërë një shqipërim besnik dhe lehtë të kuptueshëm të kësaj vepre.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.