Site icon PORTALB

Gjermania reagoi pas vendimit të Zelenskit për të mos pritur Steinmeierin: Jemi vende mike, kjo vizitë duhet të kishte dërguar sinjal pozitiv

Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier

Liderët politikë gjermanë reaguan me habi dhe moskuptim ndaj refuzimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për ta pritur presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier.

“Presidenti gjerman ka qenë në mënyrë të qartë dhe patjetër në anën e Ukrainës. Gjermania ishte dhe është ende një nga mbështetësit më të vendosur të Ukrainës dhe ky fakt është i lidhur ngushtë me aktivitetet afatgjata të presidentit gjerman”, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane.

Zëdhënësja e politikës së jashtme e Partisë Social Demokratike të Gjermanisë (SPD) në pushtet, Nils Schmid, shprehu pakënaqësinë për vendimin e Kyivit. “Kjo është më shumë se e papërshtatshme: ne jemi vende mike dhe vizita e presidentit gjerman së bashku me presidentët e tjerë duhet të ishte një sinjal pozitiv”, tha Schmid, duke shtuar se vendimi i Kyivit në Gjermani “është krejtësisht i pakuptuar”, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.

Steinmeier kishte planifikuar ta vizitonte Kyivin së bashku me presidentët e Polonisë, Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë, por qeveria ukrainase hodhi poshtë synimin e tij dhe në vend të kësaj ftoi në mënyrë specifike kancelarin gjerman Olaf Scholz për të diskutuar ndihmën e mëtejshme ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën, transmeton Periskopi.

Reagimi i Kyivit u kritikua ashpër edhe nga grupi parlamentar më i madh opozitar i Unionit, CDU/CSU. Zëdhënësi i politikës së jashtme Juergen Hard tha se kjo ishte një “barrë e rëndë për marrëdhëniet gjermano-ukrainase”. Ai i kërkoi kancelarit gjerman që sot ta telefononte presidentin ukrainas, Zelensky.

Ukraina e ka akuzuar në disa raste Steinmeierin si një ish-ministër i Jashtëm dhe një nga drejtuesit e SPD-së përgjegjës për politikën e butë të Berlinit ndaj Moskës. Pak ditë më parë, Steinmeier pranoi se ka bërë gabime në të kaluarën në ndërtimin e marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Rusisë dhe kërkoi falje për këtë.

Exit mobile version