Site icon PORTALB

MPB: Zyrtarë policor kanë marrë ryshfet në pikën kufitare Bllacë, autorët do të dënohen

Pika kufitare në Bllacë, RMV

Zyrtarë policor në pikën kufitare kanë marrë ryshfet nga shtetasit shqiptarë që kanë kaluar kufirin, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe njoftoi se po punohet për sanksionimin e autorëve, transmeton Portalb.mk.

“Reparti për kontroll të brendshëm në koordinim me prokurorinë kompetente që nga mbrëmja e djeshme është duke punuar intensivisht për zbardhjen dhe sanksionimin e rastit të ryshfetit nga ana e zyrtarëve policorë në vendkalimin kufitar Bllacë. Pas zbardhjes së rastit dhe sanksionimit të autorëve do ta informojmë publikun në mënyrë adekuate”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndrkohë, zëvendësministri për Punë të Brendshme, Nazim Bushi, ka konfirmuar për TV21 se është arrestuar shefi i turnit në pikëkalimin Bllacë, i cili u kap me kamerë të fshehtë duke kërkuar nga 20 euro për pasagjerët shqiptarë që hynin në Maqedoninë e Veriut.

“Menjëherë pas marrjes së lajmit, kontrolli i brendshëm e ka arrestuar”, konfirmoi zëvendësministri, transmeton TV21.

Mësohet se i arrestuari i parë është E.Sh nga Shkupi, shef turni në pikëkalimin mes RMV-së dhe Kosovës, ndërsa zyrtari tjetër policor që duket në video mësohet se është Z.R.

Skandali u zbulua pasi një biznesmen, që merret me transport udhëtarësh denoncoi në emisionin “Stop” në TV Klan Shqipëri, presionin që i bëhet duke i kërkuar ryshfet për një shërbim që duhet të ishte falas dhe që i takon në kufi.

Exit mobile version