Spasovski: Policia ka video, nuk i fshehim dëshmitë për vrasjen e hendbollistit Tot

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në konferencën e sotme për media, siç tha, me indinjatë hedh poshtë gjithçka që po plasohet në opinion këto ditë për gjoja fshehjen e këtij rasti, zvarritje të hetimeve. Në asnjë moment nuk ka zvarritje hetimi për hendbollistin e ndjerë kroat Denis Tot, tha Spasovski, transmeton Portalb.mk.

“Hedh poshtëm me indinjatë gjithçka që po plasohet në publik këto ditë për fshehjen e qëllimshme të këtij rasti dhe ngecje të rastit në hetim. Menjëherë pas marrjes së informacionit që nuk është marrë nga vendngjarja për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Në asnjë moment nuk kemi ndërprerje deri në momentin e zbardhjes së plotë të rastit me dorëzimin e kallëzimeve penale në afat të gati 24 orëve. Dy persona janë arrestuar, një person po kërkohet. Kemi flet-arrest qendror, do të lëshohet edhe flet-arrest vendor dhe ndërkombëtarë”, deklaroi Spasovski.

Sa i përket video-incizimeve në lidhje me rastin, Spasovski tha se Policia ka video ku shihen në detajet zhvillimi i ngjarjes, ndërsa thotë se motiv për vrasjen mund të jetë mosmarrëveshjet personale mes vajzës dhe tashmë të ndjerit.

“Policia ka në dispozicion video incizim ku në detaje shihet se si zhvillohet ngjarja, gjithsesi nga bisedat ekzistojnë shumë arsye, shumë rrëfime se çka ka qenë arsyeja për ngjarjen. Këtë do ta tregojë organi hetues. Sipas deklaratave që kemi, është një mosmarrëveshje personale mes vajzës dhe djalit, supozoj”, tha Spasovski.

Ngjarja kriminale ka ndodhur më 7 të këtij muaji, në orët e hershme të mëngjesit, para një lokali nate në Shkup, kur të dyshuarit pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër verbale kanë sulmuar shtetasin kroat tashmë të ndjerin dhe i kanë goditur disa grushte dhe shkelma. I ndjeri nga goditjet ka rënë dhe ka goditur asfaltin me pjesën e pasme të kokës dhe ka humbur ndjenjat. Të tre të dyshuarit kanë vazhduar ta godasin në kokë dhe më pas pa e ndihmuar janë larguar nga vendi i ngjarjes. Një person i punësuar në klubin e natës ka lajmëruar ambulancën, pas çka i ndjeri është transferuar në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Sipas informacioneve të marra nga mjekët që kanë pranuar tashmë të ndjerin, personi ka pasur atak kardiak, ënjtje masive të trurit, prerje e gjuhës dhe temperaturë të lartë trupore. Pas pranimit, i njëjti është vendosur në respirator dhe ka qenë në rrezik për jetën, ndërsa të nesërmen edhe përkundër tentimeve për reanimim ka ndërruar jetë, potencojnë nga Prokuroria Publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button