Prokurori përkatës kompetent për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ka miratuar urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër pesë personave, njofton Portalb.mk.
“Me veprimet e përshkruara në urdhër, i dyshuari i parë – kryetar i komunës dhe i dyshuari i tretë organ mbikëqyrës në komunë, si bashkëkryerës, kanë kryer vepër penale të vazhduar Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar gjatë furnizimeve publike, a i dyshuari i dytë si pronar i vërtetë i dy firmave dhe vëlla i të dyshuarit të parë, ka kryer dy vepra penale Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar dhe Pastrim parash dhe të ardhurave tjera nga vepra e dënueshme. Të dyshuarit të katërt – pronar dhe drejtues i firmës tanimë të fshirë, i ngarkohet vepra se në vazhdimësi ka ndihmuar në lidhje me veprën penale Pastrim parash, derisa të dyshuarit të pestë drejtues i ndërmarrjes që drejtues është i dyshuari i dytë, ka kryer Keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, ndarje të marrëveshjes për furnizim publik ose partneritet publiko-privat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, në afat prej gjashtë viteve, prej vitit 2012-të deri në vitin 2018-të, të nxitur nga i dyshuari i dytë, parë dhe tretë, e kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe kanë përfituar për tjetër me çka e kanë dëmtuar buxhetin e komunës, derisa i dyshuari i katërt, duke dhënë fatura me përmbajtje të pavërteta te firma e të dyshuarit të dytë, i cili nuk ka evidentuar, i ka ndihmuar që ta kryejë veprën penale Pastrim parash.
“I dyshuari i pestë me dorëzim të dokumentacionit me përmbajtje të pavërtetë me vetëdije i ka shkelur dispozitat e procedurës për ndarje të marrëveshjes për furnizim publik dhe në atë mënyrë ka realizuar për tjetër përfitim pasurie të përmasave të mëdha”, shtojnë nga Prokuroria.