U premtuan, por ende nuk janë publikuar kontratat në vepër nga Komuna e Tetovës për tremujorin e parë të 2022

Komuna e Tetovës ende nuk i ka publikuar kontratat në vepër të lidhura midis individëve dhe Komunës për vitin 2022, edhe pse për të njëjtat premtuan se do të publikohen fillimisht çdo muaj dhe pastaj çdo tre muaj. Tre-mujori i parë i këtij viti kaloi por në ueb-faqen dhe Facebookun e komunës nuk ka të dhëna të publikuara. Komuna nuk u përgjigj në pyetjet e redaksisë, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse pas publikimit të kontratave në vepër të udhëheqsisë së kaluar, nga Komuna e Tetovës premtuan se çdo muaj do t’i publikojnë kontratat në vepër në mes komunës dhe individëve. Premtimin e tillë e përsëritën dhe për për Portalb.mk pas publikimit të tetë kontratave në vepër për muajin dhjetor. Atëherë nga Komuna thanë se kontratat për tre muajt e parë të vitit do të publikohen në mars, si dhe kontratat e reja në çdo muaj do të publikohen në ueb-faqe të komunës. Por kjo deri më tani nuk ka ndodhur.

Komuna nuk u përgjigj në pyetjet e redaksisë të dërguara të premten (1 prill). Nga atje shkurt u arsyetuan se redaksia “çdo ditë dërgon pyetje në komunë dhe se ende nuk janë përpunuar listat e muajit mars”, duke shtuar se të gjitha përgjigjet e pyetjeve më poshtë do të publikohen në faqen e komunës kur të përpunohen të dhënat. Por deri tani kjo nuk është bërë.

Këto janë pyetjet për të cilat Portalb.mk kërkon përgjigje nga Komuna e Tetovës.

  1. Pse ende nuk janë publikuar listat me kontratat në vepër gjatë periudhës janar, shkurt, mars? Pasi për të njëjtën paraprakisht keni premtuar se në muajin mars do t’i publikoni?
  2. Sa është numri i kontratave në vepër të nënshkruara që nga ardhja e Bilall Kasamit në krye të Komunës?
  3. Për çfarë janë nënshkruar këto kontrata, çfarë pune bëjnë këta persona në komunë? Na e dërgoni listën ju lutemi që të jetë e qartë edhe për opinionin se kush çfarë punon, pasi në të kundërtën krijohet huti te qytetarët.
  4. Sa prej kontratave janë vazhdime të personave që edhe para ndërrimit të udhëheqësisë kanë punuar në komunë, dhe sa janë të reja?
  5. Sa është shuma totale që u është dhënë të punësuarve në kontrata në vepër në vitin 2021?
  6. A e keni gati listën e atyre që kanë dorëzuar raport pune? Na e dërgoni nëse e keni, nëse jo kur do jetë gati?

Rikujtojmë që Komuna e Tetovës me 15 shkurt njoftoi se tetë persona nga kabineti i kryetarit aktual të komunës nënshkruan kontratë vullnetare me nga 10 denarë për muajin dhjetor. Ndërkaq të pyetur për emrat që kanë marrë të holla nga komuna atë muaj dhe publikimin e kontratave tjera në vepër të realizuara nga Bilall Kasami, komuna me 16 shkurt njoftoi se bëhet fjalë për 47 kontrata të reja që do publikohen në muajin mars.

Komuna e Tetovës me 8 shkurt e publikoi listën e personave të punësuar në komunë përmes kontratës në vepër shifra e të cilave ishte 812, por komuna për këtë nuk e bëri ndarjen se sa prej këtyre personave kanë qenë në punë dhe kanë dorëzuar raport dhe sa kanë marrë para nga taksat e qytetarëve tetovar duke mos punuar. Së fundmi, kryetari i Komunës në emisionin Click Plus (14 shkurt) njoftoi se bëhet fjalë për 544 persona të angazhuar, prej të cilëve 250 kanë dorëzuar raport ndërsa 294 nuk kanë  dorëzuar raport, në total këto kontrata buxhetit të Komunës i kanë kushtuar 1.1 milionë euro.

Ndryshe, Kasami para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjëndër edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button