Site icon PORTALB

Regjistrimi 2021: Hapësira publike në Shkup po shkatërrohet, numri i banesave është rritur për 30,6 për qind

Banesa

Hapësira publike është një burim i kufizuar, i cili duhet të planifikohet dhe organizohet me kujdes për të parandaluar kaosin urban në një qytet. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, nga regjistrimi i vitit të kaluar, për kryeqytetin janë zhgënjyese. Popullsia e Shkupit është 526.502 banorë, që është një rritje e popullsisë prej 3,9 për qind krahasuar me regjistrimin e vitit 2002, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kundrejt kësaj, numri i familjeve në kryeqytet është rritur në 171,171, për 16.8 për qind më shumë se dy dekada më parë. Megjithatë, numri i banesave të regjistruara nga regjistruesit në kryeqytet është rritur për 30.6 për qind krahasuar me vitin 2002.

Shkupi vitin e kaluar ka pas 213.850 banesa, ndërsa numri i banesave në Maqedoni ka qenë 839.174. Ajo që është shqetësuese është sasia e banesave të zbrazëta në Shkup, të cilat përdoren për t’u dhënë me qira turistëve ose njerëzve nga qytetet e tjera, që blihen nga qytetarët jashtë Shkupit, banorët e kryeqytetit kanë nga disa apartamente, disa banorë të Shkupit janë shpërngulur ose thjesht një pjesë e apartamenteve mbeten pa shitur.

Sipas regjistrimit të vitit të kaluar, në Shkup ka rreth 42.679 banesa pa amvisëri. Vetëm sa për krahasim, ky numër është pothuajse i barabartë me numrin e përgjithshëm të banesave të regjistruara në Manastir – 43.724.

Sipas komunave, Aerodromi ka numrin më të madh të banesave – gjithsej 35.337, edhe pse në këtë komunë janë regjistruar 27.895 amvisëri me të paktën një anëtar të amvisërisë. E dyta për nga numri i banesave është komuna e Karposhit, në të cilën vitin e kaluar janë regjistruar 32.115 banesa, ndërsa numri i përgjithshëm i amvisërive ka qenë 24.589. Pas tyre vijnë Kisella Voda me 27.403 dhe Qendra me 27.065 banesa të ndërtuara, në të cilat janë regjistruar edhe një numër dukshëm më i vogël i amvisërive.

Numri më i vogël i banesave në kryeqytet janë regjistruar në komunën e Shuto Orizarit, në të cilën ky numër ka qenë 6.716, ndërsa numri i amvisërive në këtë komunë të Shkupit është 6.104. Në disa komuna të rajonit të Shkupit, si në Haraçinë, vërehet se nuk ka banesa të zbrazëta, ndërsa numri i amvisërive është më i madh se numri i banesave. Kështu, në Komunën e Haraçinës janë regjistruar 2.848 amvisëri dhe 2.815 banesa.

Të gjitha këto shifra flasin për përqendrimin e ndërtimeve të objekteve banesore në komunat qendrore të Shkupit, por edhe për pabarazinë e jashtëzakonshme të popullsisë në vend, e cila mund të vërehet edhe mes komunave në rajonin e Shkupit.

Ndryshe, shifrat e regjistrimit tregojnë se përveç 526.502 banorëve që jetojnë në kryeqytet, rajoni i Shkupit në regjistrimin e vitit të kaluar kishte gjithsej 603.646 banorë. Komunat periferike të Shkupit, Haraçina, Çuçer-Sandeva, Studeniçani, Sopishte, Petroveci, Ilindeni dhe Zelenikova së bashku kanë 77.144 banorë. Komuna e Studeniçanit ka popullsinë më të madhe, gjithsej 21.970 banorë.

Këto shifra në fakt tregojnë se një e treta e popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë jeton në rajonin e Shkupit. Komunat fqinje afër zonës metropolitane të Shkupit kanë rreth 250.000 banorë shtesë. Kështu komuna e Kumanovës ka 98.104 banorë, Tetova 84.770, ndërsa Veles ka 48.463 banorë.

Enti Shtetëror i Statistikës theksoi se në muajt në vijim do të publikojë të dhëna shtesë, të cilat do të mundësojnë konkluzione me vlerë të jashtëzakonshme për zhvillimin urban të Shkupit, por edhe të të gjithë vendit, veçanërisht në aspektin e shprehive transportuese të qytetarëve.

Exit mobile version