Site icon PORTALB

RMV, dita e NATO-s u shënua me pritje në MPJ

Dita e NATO-s, foto MPJ

Dita e NATO-s, foto MPJ

Me rastin е Ditës së NATO-s, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, organizoi pritje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në të cilën mori pjesë edhe Kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Ministri, Osmani në fjalimin e tij i theksoi përfitimet nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, duke e vlerësuar si sukses historik dhe arritjen më të rëndësishme të politikës së jashtme. Ai nënvizoi se anëtarësimi i vendit në Aleancë është veçanërisht i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, sidomos në kontekst të sfidave aktuale dhe të sigurisë, transmeton Portalb.mk.

“Aleanca është mbështetës i orientimit euro-atlantik të rajonit tonë, e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, me të cilin ka një histori të gjatë të bashkëpunimit dhe zbatimit të operacioneve, që e mundësuan paqen dhe stabilitetin. Situata e jashtëzakonshme në kontinentin evropian tregon se zgjerimi i BE-së është në radhë të parë politikë sigurie, prandaj, i bëjmë një tjetër thirrje të fortë Unionit për qasje proaktive dhe përshpejtim të proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që është thelbësore për ruajtjen e sigurisë së Evropës”, theksoi Osmani.

Dita e NATO-s, foto MPJ

Njëherit, minsitri Osmani theksoi se invazioni rus ndaj Ukrainës, kontribuoi për forcimin e unitetit të vendeve anëtare, bashkëpunim më të madh në drejtim të ndërtimit të rezistencës dhe kthimit të Aleancës nga kërcënimet eminente, si dhe forcimin e bashkëpunimit me vendet partnere të Aleancës.

“Jemi të vendosur në dënimin e invazionit ilegal rus ndaj Ukrainës. E respektojmë guximin e popullit ukrainas me të cilin e mbrojnë shtetin, sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial. Plotësisht e mbështesim parimin fundametal se të gjitha vendet kanë të drejtë ta zgjedhin vetë rrugën e tyre, prioritetet e tyre të politikës së jashtme dhe aranzhmanet e sigurisë”, theksoi Kryeministri, Kovaçevski.

Dita e NATO-s, foto MPJ

Gjithashtu, me të pranishmit u shkëmbyen mendime mbi temat aktuale rajonale dhe çështjet me interest të përbashkët, krizën humanitare të shkaktuar nga lufta në Ukrinë dhe ndikimin e saj në vendet anëtare të Aleancës, planet e ardhshme dhe aftësitë për përforcimin e mbrojtjes së NATO-s, si dhe Konceptin e ri Strategjik, që do të sigurojë gatishmëri të NATO-s për t’iu përgjigjur çdo sfide në mjedisin bashkëkohor të sigurisë.

Në ngjarje morën pjesë funksionarë të lartë qeveritar, përfaqësues të korrit diplomatik dhe institucione të rëndësishme në vend.

Dita e NATO-s, foto MPJ
Exit mobile version