Site icon PORTALB

Shëndeti mendor, të rinjtë dhe interneti (Pjesa II)

Autor: Blerim Salihi

Studimet e shumta dëshmojnë se përdorimi i lartë i rrjeteve sociale mund të shpije deri tek ndjenja e depresionit dhe varshmëri tek disa njerëz. Të rinjtë janë më të brishtë për sa i përket këtij fenomeni. Në bisedë me psikologen kuptuam më shumë rreth rreziqeve dhe formës se si përdorimi i rrjeteve sociale ndikon në shëndetin mendor të të rinjve, transmeton Portalb.mk.

Nebahate Imeri është magjistre e psikologjisë klinike, ajo gjithashtu është Këshillues Geshtalt dhe EMI terapiste. Një kohë më të gjatë ajo është aktive në organizata të ndryshme për psikologji dhe gjithashtu është marrë me studime në format se si bota virtuale ndikon tek të rinjtë. Imeri thotë se të rinjtë nuk janë as të vetëdijshëm për pasojat ngase janë të ngërthyer nga varshmëria dhe kurioziteti për shfrytëzimin e internetit, madje ajo shpreh shqetësim jo vetëm për kohëzgjatjen e qasjes në internet, por edhe për përmbajtjen e adresave në të cilët të rinjtë kanë qasje pa asnjë censurim apo mbikëqyrje nga peronat relevant.

Nebahate Imeri

“Bota virtuale fatkeqësisht sot është shndërruar në një faktor atraktiv për të rinjtë. Të ndikuar nga imazhet e rrejshme dhe statuset jo reale të paraqitura në atë botë, shumë nga ta bëhen viktime e një tendence dhe varshmerie jo të shëndetshme. Të ngërthyer në këtë bote virtuale individët harrojnë për kontakte të mirëfillta sociale me njerëzit tjerë, izolohen dhe distancohen nga bota reale dhe bëhen rrobër te një bote dhe realiteti te krijuar. Kur e themi këtë kemi parasysh dhe mirëqenien psikologjike, respektivisht pasojat në shëndetin mental nga ky fenomen kryesisht kemi niveli të lartë stresi, ankthi, konflikt intern për atë se çka është reale dhe jo, dhe për atë se çka ata mendojnë se si duhet te jete dhe jo si është në të vërtetë. Pra mirëqenia e tyre psikologjike në këtë rast është e brishtë pasi që pasojat vërehen në të gjitha aspektet qofshin ato kognitive, afektive dhe biheviorale”, tha Imeri. .

Ajo gjithashtu e shtroi edhe problematikën e kopjimit të modeleve në rrjetet sociale dhe tendenca për arritjen e standardeve joreale të jetesës.

“Kjo është ajo qe ne e quajmë imazh social i rrejshëm dhe ne e dimë se asgjë nga ajo qe paraqitet në rrjetet sociale nuk e shpreh realitetin faktik. Derisa në realitet ato (të rinjtë) harrojnë kontaktin dhe gjërat më natyrale që i kanë bërë, përmes këtij trendi të ri, ata përvetësojnë diçka që është e të gjithëve dhe në fakt e askujt, pra humbin autoritetin dhe identitetin e tyre, harrojnë qëllimet dhe idealet e tyre dhe krijojnë modele të gabueshme për ti ndjekur”, përfundoi Imeri.

Sekotri cilivl dhe ‘lufta’ për siguri kibernetike

Me përhapjen e lajmit për skandalin e ashtu njohur si “Dhoma publike” sytë e opinionit u kthyen të gjitha nga siguria kibernetike dhe brishtësia e vendit ku ne me botën ndajmë gjitha të dhënat tona personale, nga fotografitë me miqtë, vendet ku pimë kafen e mëngjesit, takimet e rëndësishme të punës, të dhëna personale, bilës edhe kartelat dhe informacionet bankare.

Me paraqitjen e këtij skandali edhe shoqëria civile filloj fuqishëm të avokojë deri tek instucionet kompetente, por edhe të tentoj të risë vetëdijen e përgjithshme sidomos të të rinjve për edukim kibernetik dhe etikë në botën virtuale.

Qendra për Mundësi të Barabarta –  Mollëkuqja realizoi një ekspozitë të titulluar nga “Inbox-i në shesh” e cila përmes skenimit të ekranit të inboxit privat, ka për qëllim të demaskoj ngacmimet seksuale që ju bëhen të rinjve në rrjetet sociale.  Nga kjo organizatë shprehen se ngacmimet në rrjete sociale janë fenomen i normalizuar në shoqërinë tonë, andaj edhe ekspozita u realizua për të ngritur vetëdijen e njerëzve se kjo që po ndodh nuk është në rregull.

OJQ “Mollëkuqja”

“Vajzave ju mungon informacioni se çka është ngacmim, sepse për to ngacmimet janë bërë përditshmëri. Ekspozimi i këtyre mesazheve në sheshin e Tetovës dhe Gostivarit ka nxitur reagim, gjë që na bën të mendojmë se këto çështje nuk janë folur deri më sot. Ne i nxorëm në shesh mesazhet që rrinin në “seen” në inboxet e vajzave për të treguar që ky fenomen është një sekret publik i cili duhet diskutuar”, thonë nga Mollëkuqja.

Ata shtojnë se shumë shpesh ngacmimet në rrjete sociale nuk kuptohen si të tilla, meqë janë normalizuar.

“Është bërë aq normale të pranosh mesazhe që përmbajnë ngacmim, gjuhë të urrejtjes, ofendim apo kërcënim, sa më kjo nuk paraqet alarm për të ndërmarrë diçka për këtë problem. Nga hulumtimi që kemi bërë, ka dalë që 65.8% e vajzave të anketuara pranojnë mesazhe ngacmuese, andaj konstatojmë se kjo është një shifër alarmante dhe duhet bërë diçka për të parandaluar këtë”, thanë nga Mollëkuqja duke shtuar se te të rinjtë ekziston frika dhe ngurrimi për të paraqitur këto raste, si dhe mosbesimi në institucione.

Goce Arsovski i cili është psikolog, hulumtues dhe zyrtar për Mbështetje Programore në Fondacionin Metamorphosis, fondacion ky i specializuar ndër të tjera për adresimin e problemeve kibernetike dhe edukimit për inovacion. Goce ndër të tjera është edhe trajnues në programe që ju mundësojnë të rinjve më shumë informacione rreth sigurisë kibernetike. Ai shprehet se të rinjtë në përgjithësi, por veçanërisht, të ashtuquajturit gjenerata Z, plason në mënyrë mjaft të pakëndshme të dhëna personale në internet dhe shumë pak konsiderojnë pasojat afatgjata që mund të kenë këto aktivitetet.

Goce Arsovski

“Nuk duhet të harrojmë se, sapo të publikojmë diçka online (telefon, email, foto, etj.), është shumë e vështirë ta fshish atë (përgjithmonë). Shqetësim se të rinjtë nuk kanë mjaftueshëm informacion për gjërat për të cilat ato pranojnë në rrjete, por përgjegjësia ngelet tek edukimi i strukturuar mbi këto tema. Kuptohet se te një numër i vogël i të rinjve ekziston vetëdija për rreziqet potenciale të cilat dalin nga përdorimi i përditshëm i internetit dhe veglave më të fundit digjitale, dhe mundohen të praktikojnë deri-diku ca hapa për mbrojtjen e të dhënave personale, por ajo që mungon është edukimi (i mëtejmë) i strukturuar, sistematik dhe holistik për gjithë këto tema” tha Arsovski.

Ai gjithashtu apelon te të rinjtë të kenë kujdes çka dhe më kë, ndajnë gjërat në rrjet për vete dhe për më të afërtimit e tyre.

“ ‘Anonimitetin’ të cilin e ofron komunikimi në internet nuk duhet të e keqëprdonirm dhe ta marrëm për të mirqenë, duhet të sillemi në rrjet ashtu siç sillemi çdo ditë në rrugë, në shkollë, në shitoren e lagjes – me respekt, kulturë dhe mirëkuptim për dallimet dhe nevojat e bashkëqytetarëve tonë”, përfundoi Arsovski.

Mendimet, dyshimet dhe si të rinjtë ndjehen në botën virtuale?

Nuk mund të anashkalonim këtë temë, pa mos konsideruar mendimin e të rinjve të cilët janë epiqendra e kësaj bisede. Nëse për një moment do të konsideronim botën virtuale si një shtëpi, atëherë të rinjtë dhe gjithkush në të i bie të jetë i zënë në grackë në të njëjtën dhomë me predatorin e tyre më të rrezikshëm.

Por si të rinjtë e shohin botën virtuale, a e konsiderojnë ata si një mundësi apo si një barrë të epokës të cilën duhet ta mbartin mbi supe. Për këtë arsye kemi biseduar me të rinj të gjeneratës Z, për të kuptuar më shumë mbi pikëpamjet e tyre rreth botës virtuale.

Agnesa Bexheti, viti i parë ne studime universitare, tregon se ajo kalon diku tek 5 orë në ditë ne internet nga të cilat 1 orë është e dedikuar rrjeteve sociale, kurse 4 tjera mësimeve.

“Duke ditur rreziqet që vinë nga interneti nuk mund të them se ndihem shumë e sigurtë, edhe pse personalisht nuk kam pasur ndonjë incident ne internet, por po jam ndjere e ngacmuar nga veprime të njerëzve që njoh. Në kohën që jetojmë tani është pothuajse e pamundur të mos jesh i varur nga interneti. Çdo gjë nga marrja e informacionit dhe të dhënave, argëtimi përmes lojërave, muzikës etj, te blerja e gjerave dhe pagesa e faturave bëhet përmes internetit, për këtë shkak unë besoj se jam e varur nga interneti për të jetuar një jetë që e quajmë si ‘normale’ ”, tha studentja Bexheti.

Nxënësi Shefik Memedi, i cili ndjek mësimet në klasën e 13, thotë se kur ka obligime mesatarisht përdor internetin vetëm 3 orë në ditë, ndërsa kur nuk ka obligime shkon deri në 10/11 orë në ditë.

“Edhe pse kaloj shumë kohë në internet, prapëseprapë nuk ndjehem i sigurtë”, thotë ai duke shtuar se nga përvoja personale ka pasur raste në rrjete sociale kur ai ka qenë i kërcënuar, kurse sa i përket problemit më të shpeshtë në rrjete sociale ai identifikon lajmet e rrejshme si problem krucial.

Nisa Shaqiri, gjithashtu është nxënëse e klasës së 13-të.  Ajo thotë se në internet kalon diku përafërsisht 4 orë në ditë.

“Nuk mund të them se ndjehem shumë e sigurtë në internet, prandaj çdoherë mundohem të dhënat personale të mos i ndaj shumë e sidomos jo me njerëz të huaj”. Nisa gjithashtu mendon se është e varur nga interneti dhe sipas saj sfida më e madhe në internet gjatë periudhës së pandemisë ka qenë “fake news”, tha nxënësja Shaqiri.

Amella Mustafi, nxënëse e vitit të dytë në shkollë të mesme, thotë se një pjesë të shkurt të kohës e kalon në internet, ashtu si shumica e bashkëmoshatarëve të saj, ajo ndihet mesatarisht e sigurtë online por gjithsesi mundohet që të ketë kujdes në aplikacionet dhe web-faqet që i përdor për zbavitje dhe komunikim online.

“Në disa raste vërehet edhe ngacmimi dhe bulizmi në internet nga moshatarët dhe shoqëria e botës virtuale. Shumë nga gjërat pa menduar publikohen online dhe ajo mund të jetë rrezik shtesë për ne adoleshentët sepse e kemi vështirë të mbrohemi dhe nuk e dimë qasjen e duhur dhe se si duhet të sillemi në internet. Shumë shpesh është edhe e vështirë të ballafaqohesh me raste ngacmimi dhe bulizmi online sepse ato edhe reflektohen në botën reale dhe në përditshmërinë tonë dhe mund të sjellin pasoja dhe më të mëdha”. Ajo thotë se fatkeqësisht është e varur nga interneti, nga teknologjia dhe atë që premton bota virtuale. “Jemi gjeneratë e teknologjisë dhe nganjëherë e kemi të vështirë ti përshtatemi rrethanave pa internet” tha nxënësja Mustafi.

Edhe pse mund të themi se të rinjtë janë konsumatorët më lojal të botës virtuale nga mendimet e mbledhura qartazi, ata nuk ndjehen të sigurtë në botën virtuale, nga ana tjetër deklarojnë se ndjehen të varur nga interneti për realizimin e aktiviteteve më bazike.

Ekspertët potencojnë gabimet më të zakonshme që të rinjtë bëjnë në rrjete që paraqesin kërcnim të sigurisë së tyre. Psikologët potencojnë për dëmet dhe ndikimin në shëndetin mendor, kurse sektori civil avokon për ndryshim të kurrikulave dhe inkuadrim të programeve për edukim kibernetik të të rinjve dhe qasje institucionale ndaj problematikës.

Në nivel Evropian, përmes kampanjave të ndryshme dhe programeve të ndryshme për edukimin rinor për mbrojte në botën kibernetike. E njëjta gjë edhe përmes ligjeve dhe rregulloreve të ndryshme siç janë Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave, Ligji i Shërbimeve Dixhitale dhe Rregulloret e Direktivës së Shërbimeve Audiovizive. Edhe pas skandalit të madh me rastin famëkeq “Dhoma publike” në vendin tonë nuk u ndërmorën iniciativa më rigoroze ligjore për të parandaluar fenomene të këtilla në të ardhmen, kurse procesi gjyqësor i rastit ende nuk ka epilogun e merituar ligjor.

Exit mobile version