Vizat amerikane, me afat 10-vjeçar për shtetasit nga Shqipëria

Teksa dy vendet festojnë 100 vjet marrëdhënie të tyre diplomatike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të lehtësojnë regjimin e vizave për qytetarët shqiptar, raporton Klan. Lajmin e bëri të ditur ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila tha se duke filluar nga 1 Prilli do të zgjatet vlefshmëria e të gjitha vizave turistike dhe atyre të biznesit.

“Duke filluar nga 1 Prilli, vlefshmëria për një vizë të re turistike apo biznesi do të zgjasë nga 3 deri në 10 vjet. Kjo do të thotë se nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 Prill ose më pas, viza juaj do të jetë e vlefshme për 10 vjet, jo vetëm tre. Ju do të keni mundësi të shkoni dhe të vini në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse, pa pasur nevojë që të rinovoni vizën tuaj deri në 2032”.

Ajo nënvizon se ky ndryshim vjen si rrjedhojë e faktit se qytetarët shqiptarë po zbatojnë gjithnjë e më shumë rregullat e qëndrimit në SHBA, por edhe e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve.

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zgjatur vlefshmërinë e vizës në 10 vjet pasqyron faktin që shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë Shtetet e Bashkuara. Ne presim me kënaqësi që t’ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara dhe presim me kënaqësi edhe 100 vite të tjera si miq”.

Në mesazhin e vetë, ambasadorja Kim thekson se krahas këtij vendimi, shpreson që të gjenden akoma më shumë mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët së bashku.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button