Nëpër trena dhe stacioneve të trenave, refugjatët ukrainas të dëshpëruar kërkojnë siguri në vendet e Evropës Qendrore (FOTO)

Të rraskapitur, të dëshpëruar, disa duke qarë e disa të hutuar. Kjo është fotografia e përgjithshme e refugjatëve ukrainas, të cilët javët e fundit i kanë vërshuar vendet e Evropës Qendrore. Që kur Rusia filloi agresionin e saj ushtarak mbi Ukrainën, më shumë se 3,5 milionë njerëz kanë vendosur t’i lenë shtëpitë e tyre dhe të largohen jashtë vendit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Rusia, me granatimet, qysh në ditët e para të pushtimit e mbylli trafikun ajror, ndërsa e bllokoi edhe transportin nga Ukraina dhe në Ukrainë. Makinat dhe trenat mbetën mjetet e vetme për evakuimin e refugjatëve. Qëllimi përfundimtar i ukrainasve – vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore: Polonia, Rumania, Sllovakia, Republika Çeke dhe Austria.

Për t’iu ndihmuar refugjatëve, vendet e Evropës Qendrore, jashtë orareve të rregullta, po organizojnë trena emergjentë drejt kufijve me Ukrainën, që të mund të transportojnë sa më shumë gra, fëmijë dhe të moshuar në destinacione të ndryshme.

Stacioni kryesor i trenit në Vjenë është një nga destinacionet përfundimtare për refugjatët ukrainas. Dhomat e pushimit të stacionit janë përplot me gra dhe fëmijë. Të rraskapitur nga udhëtimi i gjatë, qindra njerëz presin me orë të tëra që t’u mundësohet akomodimi në qendrat e pranimit.

Refugjatët ukrainas kërkojnë ndihmë në stacionin e trenit të Vjenës; Foto: Meta.mk
Refugjatët ukrainas kërkojnë ndihmë në stacionin e trenit të Vjenës; Foto: Meta.mk

Në fytyrat e refugjatëve ukrainas në Vjenë vërehet lodhja. Shumica nuk ishin të disponuar për të folur para kamerës për Meta.mk. Thonë se kanë kaluar nga disa ditë duke udhëtuar para se të mbërrinin në kryeqytetin austriak dhe nuk ishin të disponuar që të flasin. Disa prej tyre të përlotur ende nuk besojnë për gjendjen e tyre, për luftën që Rusia e filloi në vendin e tyre.

Në stacionin e trenit shohim punonjës të shumtë socialë, mjekë dhe policë, të cilët u ndihmojnë refugjatëve. Pak njerëz që flasin gjuhën ukrainase dhe rusisht u afrohen refugjatëve, të cilët zbresin nga platformat e trenit, dhe ofrojnë shërbime përkthimi falas.

Refugjatët ukrainas në stacionin e trenit të Vjenës; Foto: Meta.mk
Refugjatët ukrainas në stacionin e trenit të Vjenës; Foto: Meta.mk

Ekipet e Caritas International dhe organizata të tjera ndërkombëtare po e shpërndajnë ndihmën e parë për refugjatët. Në Vjenë, e dokumente ukrainase, mund të merret edhe biletë treni falas. Por refugjatët janë të lodhur nga transferimet.

Ana, 28-vjeçare, nënë e dy fëmijëve nga Kievi, na tregoi se ka rreth 10 ditë që po i ndërronte lokacionet e qëndrimit. Nga kryeqyteti ukrainas ajo ishte nisur për në Lviv, kurse prej andej nëpërmjet kufirit ukrainas-sllovak dhe Bratislavës, kishte mbërritur në Vjenë.

Ana nuk e di nëse do të jetë në gjendje të kthehet në vendlindjen e saj së shpejti me fëmijët. Ndërsa flasim me të, vetëm njëqind metra larg nesh, refugjatë të tjerë ukrainas po presin në radhë për të marrë biletat e trenit. Një i moshuar qan pa pushim. Përreth, përditshmëria e Vjenës vazhdon pa ndërprerë, me mijëra pasagjerë që zbresin dhe hipin në trenat në stacionin kryesor të trenit.

Një nënë me dy fëmijë të shtrirë në dyshemenë e stacionit të trenit përpiqet të gjallërojë të dashurit e saj duke luajtur letra. Asaj i afrohet një austriak i moshuar i cili përpiqet ta ndihmojë financiarisht. Gruaja refuzon ndihmën financiare para syve tanë. Disa refugjatë ukrainas largohen nga stacioni i trenit, por hapësirat në ulëse vazhdimisht mbushen me refugjatë të rinj të tjerë.

Trenat nëpër Evropën Qendrore janë bërë mjetet kryesore të transportit të refugjatëve ukrainas; Foto: Meta.mk
Trenat nëpër Evropën Qendrore janë bërë mjetet kryesore të transportit të refugjatëve ukrainas; Foto: Meta.mk

Lodra të fëmijëve që kanë rënë në dyshemenë e stacionit të trenit tregojnë historinë e tyre për arratisje nga lufta.

Perspektiva çeke

Republika Çeke në fillim të marsit shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të fluksit të refugjatëve nga Ukraina. Presioni kryesor javët e fundit është ndjerë në Pragë, por familje të tëra që ikin nga vorbulla e luftës mund të shihen edhe në qytete më të vogla çeke.

Çekia deri tani ka pranuar mbi 270.000 refugjatë nga Ukraina. Ky vend i Evropës Qendrore nuk ka qenë kurrë destinacioni përfundimtar i ndonjë numër të madh refugjatësh, as gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990, as gjatë krizës së madhe të refugjatëve gjatë luftës së vitit 2015 në Siri. Si rezultat, vendi po përballet me sfida që nuk i kishte pritur.

Ministri i Brendshëm çek Vit Rakusan thotë se qeveria do të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme në vend, ndërsa autoritetet do të përpiqen të lehtësojnë presionin ndaj Pragës duke i zhvendosur refugjatët ukrainas në qytete të tjera në brendi.

Apelet për ndihmë për Ukrainën mund të shihen në çdo hap të Çekisë; Foto: Meta.mk
Apelet për ndihmë për Ukrainën mund të shihen në çdo hap të Çekisë; Foto: Meta.mk

“Çeki po balancon në kufi të kapacitetit ku ne mund të ofrojmë kushte komode jetese,” tha Rakusan për mediat, duke shtuar se të jetohet në palestra, në thasë gjumi ose kampe nuk është e mirë për refugjatët.

Por në terren, në qytetin çek të Olomouc, në lindje të vendit, aktualisht ende nuk ndjehet presioni që e ka Praga. Flamuri ukrainas alëvitet në shumë objekte administrative dhe arsimore të qytetit, si simbol i mbështetjes për Ukrainën si ana e sulmuar nga Rusia.

Përveç gjuhës çeke, në Sheshin e Sipërm në Olomouc, dëgjohen edhe zëra të qytetarëve ukrainas. Familje të tëra i shikojnë me kureshtje ndërtesat mesjetare dhe Kolonën e Trinisë së Shenjtë, e cila si monument është vend i mbrojtur i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Vetëm 50 metra larg komunës, në shesh është një orë astronomike e viteve 1950, e cila i tregon ditëlindjet e Leninit dhe Stalinit. Ky kujtim i së kaluarës sovjetike në Republikën Çeke ngjall kujtime të hidhura tek refugjatët ukrainas.

Apelet për ndihmë për Ukrainën mund të shihen në çdo hap në Çeki; Foto: Meta.mk
Apelet për ndihmë për Ukrainën mund të shihen në çdo hap në Çeki; Foto: Meta.mk

Më pak se pesë minuta nga sheshi kryesor në Olomoucit, është qendra për regjistrimin dhe pritjen e refugjatëve ukrainas. Në këtë lokacion, qytetarët e qytetit çek u sjellin ndihmë refugjatëve. Në momentin kur mbërrimë ne, Brigada e Zjarrfikësve të Olomoucit solli pako me  ndihma për ukrainasit të cilët janë detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Në këtë vend, refugjatët regjistrohen, mund të marrin informacione për akomodimin në qytet, por edhe të mbledhin ndihmën që e kanë në dispozicion.

Qendra për Regjistrimin dhe Pranimin e Refugjatëve Ukrainas në Olomouc; Foto: Meta.mk
Qendra për Regjistrimin dhe Pranimin e Refugjatëve Ukrainas në Olomouc; Foto: Meta.mk

Në këtë qendër, derisa ishim aty, kishte më shumë çekë që ndihmonin se sa refugjatë ukrainas. Megjithatë, sallat sportive, ndërtesat kulturore dhe objektet e tjera akomoduese në të gjithë Çekinë janë mbushur javët e fundit me nëna, fëmijë dhe të moshuar nga Ukraina, të cilëve këto vende u janë vënë përkohësisht në dispozicion si shtëpi.

Mediat janë plot me shqetësime dhe pikëpyetje për të ardhmen

Faqet e gazetave çeke ditët e fundit janë përplot me ngjarje në Ukrainë dhe ndikimi i agresionit rus në Ukrainë në Çeki.

E përditshmja “Pravo” raporton se kapacitetet e akomodimit në Pragë janë përplot me refugjatë nga Ukraina dhe se autoritetet planifikojnë të zhvendosin disa prej refugjatëve në qytetet lindore të Olomouc dhe Zlin. Gazeta raporton gjithashtu se autoritetet shëndetësore çeke thonë se disa refugjatë përballen me probleme shëndetësore dhe se fëmijët të cilët udhëtojnë disa ditë nga Ukraina kanë infeksione.

Të përditshmet çeke kujdesin qendror e kanë në luftën e Ukrainës; Foto: Meta.mk
Të përditshmet çeke kujdesin qendror e kanë në luftën e Ukrainës; Foto: Meta.mk

Faqja e parë e gazetës “Mlada Fronta Dnes” sjell informacionin e autoriteteve çeke se çdo familje që do të kujdeset për një refugjat nga Ukraina mund të marrë mbështetje financiare prej 3000 korona çeke (rreth 120 euro). Qeveria çeke planifikon të paguajë një maksimum prej 9.000 korona çeke për ato familje që do të vendosin të marrin nga disa banorë ukrainas. Për këtë shumë, një sondazh i kësaj gazete çeke tregon se 25,4 për qind e të anketuarve janë shprehur të gatshëm të pranojnë refugjatë në shtëpitë e tyre. Megjithatë, ende nuk dihet se sa mund një zgjidhje e tillë të strehojë nga ato qindra mijëra ukrainas të cilët kanë ikë nga lufta.

E përditshmja çeke “Lidove novini”, nga ana tjetër, në ballinë e pasqyron faktin se Çekia po shkon drejt stagflacionit. Norma e inflacionit mund të rritet në 13-14 për qind sipas parashikimeve të Bankës Kombëtare Çeke si rezultat i rritjes së përgjithshme të çmimeve. “Lidove novini” shkruan se problem i veçantë është çmimi i derivateve të naftës, të panjohurat me furnizimin me gaz natyror në të ardhmen si pasojë e luftës në Ukrainë. Çekia nga kriza kovid, nëpërmjet krizës energjetike, ka hyrë në një krizë të tretë radhazi të paralajmëruar nën ndikimin e fuqishëm të luftës në Ukrainë. Ekonomistët parashikojnë se standardi i jetesës së qytetarëve çekë mund të rrezikohet.

Numri i refugjatëve ukrainas nga lufta ruse vazhdon të rritet dhe bashkë me të edhe shqetësimet në shoqërinë çeke, kjo është përshtypja me të cilën po largohemi nga Republika Çeke.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button