Qeveria e Kosovës zgjeroi pakon e sanksioneve ndaj Rusisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën (23 mars) një vendim për zgjerimin e pakos së sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Ky vendim synon që Kosova t’i përshtatet pakos ekzistuese të sanksioneve të ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, transmeton REL.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë ka thënë se me këtë vendim, Kosova zbaton edhe “pakon e katërt të sanksioneve të BE-së”.

“Kjo pako konsiston në masa restriktive tregtare, ekonomike, financare, energjetike, industri të mbrojtjes si dhe ndaj individëve dhe entiteteve shtesë”, tha Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se ky vendim po merret për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut dhe duke qëndruar “në linjë me aleatët ndërkombëtarë”.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar pakon fillestare me sanksione kundër Rusisë, më 25 shkurt, një ditë pas fillimit pas pushtimit të Ukrainës.

Përveç sanksioneve, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u mor vendim që të ndahen 100 mijë euro për dërgimin e një kontigjenti të ndihmave humanitare drejt Ukrainës.

Rikujtojmë se Kosova po ashtu është zotuar për pranimin e 20 gazetarëve ukrainasë, së bashku me familjet e tyre për strehim në Kosovë, duke u ofruar atyre “mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme brenda Kosovës”.

Deri më tani, lufta në Ukrainë ka shkaktuar miliona refugjatë.

Nga fillimi i luftës deri në mesnatën e 19 marsit, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) regjistroi 902 civilë të vrarë dhe 1,459 të plagosur.

Zyrtarët ukrainas thonë se mijëra civilë janë vrarë.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës raportoi të shtunën se 112 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftimeve ndërsë shumë se 140 fëmijë janë plagosur.

Një krizë e theksuar humanitare po zhvillohet momentalisht në qytetin- port të Mariupolit ku vlerësohet se mbi 200,000 civilë mbeten të bllokuar pa ujë, rrymë dhe furnizime ushqimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button