Rusia e akuzoi SHBA-në se po e frenon Kievin në bisedimet e paqes
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po e frenojnë Kievin që të pajtohet me kërkesat e Rusisë, të paraqitura në bisedimet që dy shtetet po zhvillojnë, transmeton REL.
“Ndihet vazhdimisht se delegacioni ukrainas po mbahet për dore, me shumë gjasa nga amerikanët, duke mos i lejuar ata që të pajtohen me kërkesat, që unë mendoj se janë absolutisht minimale”, tha ai, sipas agjencisë ruse të lajmeve, Interfax.
Lavrov nuk ofroi ndonjë provë për pretendimet e tij se SHBA-ja po ndikon në pozicionin e Kievit. As SHBA-ja, por as Ukraina nuk kanë sugjeruar se kjo gjë është duke ndodhur.
Këto komente të Lavrovit vijnë disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për negociata kuptimplotë të paqes.
“Është koha për t’u takuar. Koha për të biseduar”, tha ai përmes një video-mesazhi, që duket se bënte thirrje për bisedime direkte me presidentin rus, Vladimir Putin.
Gjatë kësaj jave, Ukraina ka hedhur poshtë propozimet e Rusisë që siguria e saj të garantohet nga forcat ndërkombëtare dhe ajo të miratojë një status neutral të krahasueshëm me Austrinë dhe Suedinë.
Deri më tani, Ukraina dhe Rusia kanë zhvilluar një sërë rundesh bisedimesh, ndërkaq palët po ashtu zhvillojnë bisedime përmes platformave online.
Ukraina ka thënë se ajo kërkon që Rusia të tërheqë forcat e saj dhe t’i japë fund pushtimit, që Moska e ka nisur më 24 shkurt.