“Sllovenia për sllovenët.”
grafiti, Nova Gorica (2011)
Shkenca apo më saktë kureshtja shkencore të hap dritare të reja, të mëson gjëra që të ndihmojnë në të kuptuarit dhe shpjeguarit e fenomeneve që ndodhin përreth nesh dhe më tej. Kohë më parë, duke redaktuar përkthimin shqip të veprës së profesorit slloven të studimeve kulturore nga Universiteti i Lubjanës, Mitja Velikonja, Grafitet politike post-socialiste në Ballkan dhe në Europën Qendrore, që së shpejti pritet të shohë dritën e botimit ndër ne (Logos-A, 2022), hasëm në një term interesant, për të cilin dëgjonim për herë të parë: garbo nacionalizmi. Një term që s’e kanë as fjalorët e sociologjisë e as të politologjisë, një sintagmë i krijuar nga ish diplomati amerikan Warren Zimmerman në kohën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, për të përshkruar ngjarjet, rrymimet socio-politike në Slloveni (Kuzmanić, 1999: 57), vetëdijen kolektive sllovene lidhur me veten dhe kombet e tjera të ish-Jugosllavisë.
Sipas Warren Zimmermann-it, ambasador i fundit amerikan në Jugosllavi (1989-1992), tani konsultant senior në RAND, termi garbo nacionalizëm përbën një formë të nacionalizmit modest, “një nacionalizëm unik, pa viktima dhe armiq” (Zimmermann, 1999: 71). Bëhet fjalë për një frymë kombëtariste të periudhës kur sllovenët kërkonin vetëm një gjë: që të liheshin vetëm dhe asgjë më shumë (just wanted to be left alone), të vetëdijes dhe romantizmit kombëtar slloven të viteve ‘90 në rrugën drejt pavarësisë. Ky nocion përshkruan kornizën e nacionalizmit apo shovinizmit “fin” slloven ndaj të jashtmit, të huajit. Kuzmanić duke iu referuar hulumtuesve si Griffin (1995) këtë lloj të nacionalizmit e quan racizëm të kulturuar (cultured racism).
Zimmerman-i në shkrimin e tij të marsit/prillit 1995 të publikuar në Foreign Affairs, “The last Ambassador: A Memoir of the Collpase of Yugoslavia” (Ambasadori i fundit: Kujtime rreth shkatërrimit të Jugosllavisë) thotë se Sllovenia ka qenë republika e vetme që ka prosperuar në komunizëm dhe më e afërmja nga vendet komuniste ndaj demokracisë. Sipas tij në fillim të viteve 1990 virtyti i sllovenëve ishte demokracia, kurse ves, vetjakësia (selfishness); egoizmi që një analiste ka thënë se “s’ia gjen shoqin” (Vasović-Mekina, 2018). Në rrugën e tyre drejt pavarësisë sllovenëve nuk u ka interesuar fare fati i kombeve të tjera , thjesht kanë injoruar 22 milionë josllovenë që ishin pjesë e federatës jugosllave (RSFJ). Ata sipas diplomatit në fjalë bartin përgjegjësinë e gjakderdhjes që ka ndodhur pas secesionit të tyre të shpallur më 25 qershor 1991. (Zimmermann, 1995: 7) Termin në fjalë e ka rrahur edhe ish-presidenti slloven Danilo Türk në një ligjëratë të mbajtur në vitin 2011 në Paris, “20 vjet pas pavarësisë: Përvoja e republikës së Sllovenisë (dhe pse ende jemi optimistë)”. Sipas tij ky term lidhet me aktoren e madhe amerikane Greta Garbo e cila ka qenë e fiksuar pas izolimit, por që ndërkohë s’e ka humbur respektin që ka gëzuar. Një radhë ajo kishte deklaruar: “Dua që të më lënë të jem vetëm! (I want to be left alone), në fakt nuk donte të jetë e vetmuar, por të lihet vetëm (She does not want to be alone, but to be left alone.)
Termi garbo nacionalizëm implikon vetëruajtjen dhe vetëmbrojtjen (self-preservation and protection) në një kohë turbulencash dhe të nacionalizmit agresiv serb, kur sllovenët kan kërkuar sigurinë bazike, kur shtetësia e pavarur dhe sovraniteti i plotë kanë qenë garancitë e vetme të shtetit dhe identitetit të kërcënuar. Shumë autorë dhe analistë pohojnë ky garbo nacionalizëm apo “nacionalizëm me fytyrë të mirë” e ka shkatërruar Jugosllavinë.
Sllovenët në vitet 1990 donin të ishin të lirë nga varfëria dhe intriga e pjesës tjetër të Jugosllavisë (Zimmermann, 1999: X), nga jugosllavizmi nën sloganin e vëllazërim-bashkimit ku nuk relizoheshin dy parametrat e Revolucionit Francez: liria dhe barazia (Letica, 19996: 176). Ata gjatë gjithë kohës rrëfenin storjen e të drejtave të njeriut (duke e shfrytëzuar edhe rastin e Kosovës) të majëzuar apo me nuanca të sovranitetit. Këtë e vërteton Deklarata e Shkrimtarëve Sllovenë e vitit 1989 (Danas, 17 janar) ku qartë përmenden të drejtat e njeriut dhe sovraniteti. Në fakt ata donin që të shpëtonin nga nacionalizmi serb i mbështetur nga metodat komuniste të kontrollit, që nuk toleronte as demokracinë as ndarjen e pushtetit me grupet e tjera nacionale; nga agjenda e ngushtë dhe shizoide e Millosheviqit që duke e bërë Jugosllavinë të pabanueshme për joserbët, u shndërrua në rrënuesin kryesor të Jugosllavisë. Atëbotë sipas Stanovnikut, përpjekja për të ruajtur Jugosllavinë dukej si notim në drejtim të dallgëve. Si rrjedhim i kontekstit dhe i një historie thuajse gjysëmshekullore të nacionalizmi të variantit modest të megali idesë (Flere & Klanjšek, 1999: 173), tani në formën e nacionalizmit të zhveshur (naked nationalism) bashkë me atë kroat, ishin sllovenët ata që e filluan luftën dhe në këtë drejtim Zimmermann-i bën krahasim me luftën civile amerikane ku si jugu separatist është cilësuar si “njeriu i keq”; në rastin e Jugosllavisë i keqi ka qenë veriperëndimi. (Cushman & Meštrović, 1996: 168) Sipërfaqësia e formulës “just leave us alone” vërehet kur Sllovenia kërkoi që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian duke i pranuar të gjitha kushtet e imponuara pa kurrfarë vërejtjeje. (Flere, op.cit.) /vazhdon/
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.