Sanksione për Rusinë edhe nga Shqipëria

Shqipëria ka mbyllur hapësirën ajrore për të gjithë operatorët rus apo çdo avion të regjistruar në Rusi në kuadër të sanksioneve që i ka vendosur Rusisë pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Ndalimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore nga operatorët ajror rus, hynë në fuqi që nga mbrëmja e 27 shkurtit, transmeton REL.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se kjo është vetëm një nga masat ekonomike që Shqipëria ia ka vendosur Rusisë, masa këto që sipas saj do të mbesin në fuqi për aq kohë sa Rusia vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.

Sanksionet përfshinë 654 individë dhe 52 subjekte si dhe po ashtu është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin e Shqipërisë për personat e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

Sanksionet ekonomike të autoriteteve shqiptare për Rusinë përfshijnë masa kufizuese në financa, energji dhe teknologji.

Në sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës.

Sanksionet në sektorin e teknologjisë përfshinë kufizime për eksportet e mallrave dhe teknologjisë të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë.

Përpos sanksioneve ekonomike, Shqipëria nuk do të luajë asnjë ndeshje sportive kundër Kombëtares së Rusisë, me të cilën kishte një ndeshje të programuar në qershor të këtij viti.

Nuk do të lejohen të hyjnë në Shqipëri personat e vendosur në listën e sanksioneve nga Bashkimi Evropian.

Autoritetet shqiptare njoftuan se janë në proces të hartimit të bazës ligjore për zbatimin e masave shtrënguese ndaj Rusisë dhe subjekteve të saj, të miratuara nga Këshilli i Bashkimi Evropian.

Më 25 shkurt, sanksione Rusisë i ka vendosur edhe Kosova.

“Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i tyre në tregje financiare dhe masa tjera kufizuese që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për invazionin rus në Ukrainë”, tha Ministrja e Jashtme e Kosvës, Donika Gërvalla.

Kosova po ashtu ndaloi transmetimin e mediave ruse në territorin e Kosovës. Të shtunën më 26 shkurt, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), njoftoi se ka marrë vendim për ndalim të përkohshëm të transmetimit të televizioneve Russia Today (RT), Russia 24, Planeta RTR.

KMP-ja mes tjerash thotë se vendimi nuk ka për qëllim pengimin dhe cenimin e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias porse ka për qëllim ruajtjen e sigurisë publike.

Komisioni i Pavarur i Mediave është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

  • Për konfliktin e ditës së tretë (26.02.2022) Rusi-Ukrainë LEXO KËTU
  • Për konfliktin e ditës së dytë (25.02.20200) Rusi-Ukrainë LEXO KËTU
  • Për konfliktin e ditës së parë (24.02.2022) Rusi-Ukrainë LEXO KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button