Zelenskyi akuzon forcat ruse se po shënjestrojnë civilët
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se forcat ruse janë duke shënjestruar zonat e civilëve, ndërkohë që Rusia ka shtuar sulmet në Kiev, duke nisur trupa dhe tanke nga tri drejtime, transmeton REL.
“Ata thonë se objektet civile nuk janë shënjestra. Mirëpo kjo është një tjetër gënjeshtër. Në realitet, ata nuk bëjnë dallim mes zonave ku operojnë”, ka thënë Zelenskyi në një adresim më 25 shkurt.
“Ukrainasit janë duke demonstruar heroizëm” ka thënë ai, duke shtuar se “të gjitha forcat tona po bëjnë gjithçka që është e mundshme” për të mbrojtur njerëzit.
Kryeqyteti ukrainas, Kiev ka lëshuar alarmet pas rinisjes së sulmeve ruse në orët e hershme të së premtes, ka thënë televizioni ukrainas, ndërkohë që autoritetet lokale u kanë bërë thirrje njerëzve të strehohen në ambientet më të afërta.
Zelenskyi ka thënë se Rusia ka rinisur sulmet me raketa në orën 04:00 më 25 shkurt.
Ai ka thënë se 137 civilë dhe pjesëtarë të ushtrisë janë vrarë nga sulmet ruse më 24 shkurt.
Shpërthimet janë dëgjuar në Kiev në orët e para të mëngjesit, kur edhe janë lëshuar sirenat.
Ushtria ukrainase ka raportuar luftime të mëdha në zonën Ivankiv, rreth 60 kilometra në veriperëndim të Kievit.
“Dita më e rëndë do të jetë sot. Plani i armikut është të arrijë me tanke nga Ivankiv dhe Çernihiv në Kiev”, ka thënë këshilltar i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Anton Gerashchenko në një postim në Telegram.
Zelenskyi ka thënë se e kupton që trupat ruse e kanë shënjestër, mirëpo është zotuar se do të qëndrojë në Kiev.
“Armiku më ka shënjuar si shënjestrën e parë. Familja ime është shënjestra e dytë. Ata duan të shkatërrojnë Ukrainën në aspektin politik duke e shkatërruar kreun e shtetit”.
“Unë do të qëndrojë në kryeqytet. Familja ime është po ashtu në Ukrainë”, ka thënë ai.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.