Dita e fundit e konferencës në Mynih: Të zhbllokohet procesi integrues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Konferenca për Siguri në Mynih ka vazhduar me aktivitetet punuese të ditës së tretë dhe të fundit të saj, ku mes tjerash, në fokusin e paneleve të mbajtura sot kanë qenë perspektiva e Ballkanit Perëndimor, zgjerimi i BE-së si dhe kontestet bilaterale mes shteteve të rajonit, Portalb.mk.

Zyrtarët e Maqedonisë së Veriut pjesëmarrës në këtë konferencë, kanë theksuar edhe sot nevojën e përparimin në rrugën drejt BE-së si dhe zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ka marrë pjesë në debatin me temë “Mos shiko ndaras – hartimi i rrugës për BE dhe Ballkani Perëndimor”, ku theksoi se, kredibiliteti i BE-së është vendosur në pikëpyetje me bllokadën e fillimit operativ të negociatave qasëse me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Ballkani Perëndimor funksionon si sistem i enëve të ndërlidhura. Kur ka përparim në një vend, ajo është nxitje për përparim te fqinjët tjerë. Bllokada e BE-së ndihet në gjithë rajonin si goditje serioze drejt besimit ndaj Unonit. Për shkak të mosmiratimit të kornizës negociuese, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria humbin kohë të çmueshme. Por, pyetja më e rëndësishme është çfarë humb Bashkimi Evropian në këtë rast. Kredibiliteti i BE-së është vendosur në pikëpyetje”, tha Kovaçevski.

Sinç njoftuan nga Qeveria, Kovaçevski ka theksuar se, kjo situatë inkurajon dhe përforcon interesin e palëve të treta në rajon. Nëse BE tregon mungesë apo dobës në Ballkanin Perëndimor, atëherë palët e treta do të kenë më shumë mundësi të përmbushin atë zbrazëti e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme në planin gjeostrategjik. Për këtë, siç ka thënë ai, BE duhet të gjejë formulë se si të mbajë fjalën dhe të vazhdojë me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, të shtojë optimizën se vlerat evropiane dhe parimet janë ende realitet.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në fjalimin e tij gjatë panelit: “Një zbrazëti në zemrë e Evropë? Kthim në Ballkan”, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë të përparojnë në proceset e pajtimit dhe tejkalimit të kontesteve bilaterale.

“Çdo dështim për të ruajtur trajektoren evropiane të Ballkanit Perëndimor mund të ketë pasoja dramatike për vendet e rajonit dhe BE-së, përfshirë në aspektin e sigurisë dhe migracionit. Vendet tona duhet të vazhdojnë të ecin para në aspekt të pajtimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve bilaterale, në frymë evropiane, si dhe për të forcuar reformat themelore, veçanërisht në aspektin e sundimit të ligjit, bazuar në metodologjinë e reviduar për aderim”, tha Osmani.

Ndërkohë, gjatë mbrëmjes së djeshme presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të Konferencës së Mynihut ka realizuar takim me kryeministrin bullgar, Kiril Petkov.

Foto: Pendarovski FB

Pendarovski informoi përmes një posti në profilin e tij në Facebook se me kryeministrin bullgar, kanë diskutuar për dinamikën e grupeve punuese si dhe mundësive për përparim në planin evropian.

“Pata rastim të bisedojë me kryeministrit bullgar Petkov në margjinat e Konferencës së Mynihut, pas takimit të fundit në Shkup. Diskutuam për dinamikën e grupeve të punës, produktivitetin në atë plan dhe mundësitë për përparim në panin evropian, që do të nënkuptonte sukses të përbashkët”, ka shkruar Pendarovski.

Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka njoftuar mbrëmë në Facebook se, fjalimin e zëvendëspresidentes së SHBA-së, Kamala Harris të mbajtur në margjinat e konferencës së Myninut, e ka ndjekuar me sekretarin shtetëror të SHBA-së, Antony Blinken dhe kryeministrin bullgar, Kiril Petkov dhe ka njoftuar se Blinken ka shprehur shprehur mbështetjen për dialogun Shkup – Sofje.

Foto: Kovaçevski FB

“Një takim i përzemërt me sekretarin shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken gjatë fjalimin të zëvendëspresidentes së SHBA-së, Kamala Harris. E ndajmë mendimin se së bashku jemi më të fortë si aleatë në NATO. Sekretari shtetëror Blinken ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për dialog dhe miqësi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bulgarisë dhe ka ndarë dëshirën e tij të sinqertë të na sheh së bashku në BE. SHBA mbetet partneri ynë i përkushtuar në tejkalimin e sfidave”, ka shkruar Kovaçevski.

Ky edicioni i 58-të i Konferencës së Sigurisë së Munihut, i kushtohet temës “Bashkëpunimi Ndërkombëtar në kohëra të rritjes së krizave” dhe marrin pjesë krerë të shumtë shtetesh, krerë qeverish dhe ministra, si dhe përfaqësues të lartë të për çështje të rëndësishme të sigurisë së organizatave ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button