Qytetarët ankohen për fatura “astronomike”, EVN-ja mohon, mërgimtarët në Evropë thonë se paguajnë shumë më pak

Muaji janar për shumë familje ishte një goditje e madhe ekonomike, pasi një pjesë e tyre ankohen për fatura të larta prej 200 deri ne 700 euro për amvisëri.  Edhe pse autoritetet theksuan se çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 10% në muajin janar, qytetarët me të cilët ka biseduar Portalb.mk, ankohen se kanë marrë fatura mbi 50 për qind më të larta se në dhjetor, madje edhe raste ku faturat kanë ardhur me çmim mbi 100% më të lartë. Nga EVN arsyetohen se çmimi i rrymës nuk varet prej tyre, por prej KRRE-së dhe mohojnë se marrin fatura të larta, por se janë të supozuara (paushalle), të cilat mund të korrigjohen. Megjithatë, nëse këto shuma edhe pas korrigjimit mbeten me dallim të ulët, mund të thuhet se çmimet janë drastikisht të larta dhe të papërballueshme për qytetarët.

Llokman Bakiju nga fashti Studeniçan, thotë se për tri ditë radhazi shkon për tu ankuar, pasi fatura e rrymës për muajin janar i ka ardhur 41.691 denarë për dallim prej muajit dhjetor kur ka paguar 14.159 denarë, që përsëri është një shumë e lartë, kur rroga minimale aktualisht është 15.200 denar. Ai thotë se për ta paguar faturën e janarit duhet të punojnë dy muaj të plota, në mos bile edhe më shumë.

Fatura e rrymës së familjes Bakiju për muajin janar
Fatura e rrymës së familjes Bakiju për muajin janar

Nuk dallonte shuma gjendja edhe për familjen Shabani nga i njëjti fshat, e cila duhet të paguaj 36.947 denarë për janarin.

Fatura për muajin paraprak i familjes Shabani
Fatura për muajin paraprak i familjes Shabani

E njëjta gjë e preokuponte edhe familjen Maksuti nga Shkupi. Kryefamiljari mbante në dorë faturën prej  37.845 denarëve.

Dy familjet e fundit, nuk donin që të zbulonin më shumë se veç mbiemrit mbi identitetin e tyre, për shkak të siç shprehen, frikës për pasoja të mundshme.

Portalb.mk, iu drejtua EVN-së, për të marrë prononcimin e tyre mbi këtë çështje për të cilën ankesat sa vijnë e rriten. Nga ky institucion, shprehen se faturat e energjisë elektrike gjatë dimrit janë më të larta, duke marrë parasyshë, siç thonë ata, faktin se “për fat të keq shumica e qytetarëve nuk kanë opsion tjetër për ngrohje dhe konsumi i energjisë elektrike është shumë më i madh”.

“Në rajonin e Shkupit gjithashtu është regjistruar rritje e konsumit të energjisë elektrike si rezultat i rajoneve që përdornin energji termike që sipas konsumatorëve, kishte problem me furnizimin. Nisur nga këto faktorë, rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 01 janari luan një rol shumë të vogël. Në disa nga ankesat e qytetarëve për faturat, u konstatua se në pjesën më të madhe qytetarët kanë konsumuar po aq kilovat orë sa janë të shënuara në faturë, ndërsa në disa raste ndodh që fatura të përmbajë vlera të supozuara për shkak se orëmatësi nuk është i lexuar, apo për shkak të barazimit të konsumit nga periudha paraprake kur orëmatësi ka qenë i pa lexuar“, thonë nga EVN.

Por, ata shtojnë se, faturat e supozuara, apo ndryshe siç njihen paushalle, nuk iu vijnë qytetarëve vetëm të larta, por edhe të ulëta, për çka konsumatorët nuk bëjnë asnjëherë ankesa. Dhe kur këto fatura vijnë në vazhdimësi shumë të ulëta për muaj me radhë, në momentin që kontrollohet orëmatësi, vjen faturë e lartë e rrymës për muajt që nuk është kontrolluar orëmatësi.

Kjo vjen, thonë ata, edhe si pasojë e mos-leximit të orëmatësit për shkak se konsumatori nuk është prezent (nuk është në shtëpi ose në objekt pengim i ekipeve të leximit të orëmatësve nga ana e konsumatorit, pika matëse nuk është e disponueshme për shkak të kushteve të rënda nga moti i keq, pushime vjetore nga të punësuarit e EVN-së, pushime mjeksore etj, që përkthehet me fatura paushalle mbi kurrizin e konsumatorëve. Fatura të tilla vijnë edhe sepse nuk ka orëmatës në të gjitha amvisëritë ku EVN do të ketë qasje të përhershme në kilovatët e harxhuara. Nga EVN shtojnë se nuk ka raste ankesash në amvisëritë e të cilave EVN ka qasje të drejtëpërdrejtë në orëmatës. Megjithatë të tillë orëmatës nuk i kanë të gjithë amvisëritë dhe kjo përbën problem më vete.

Pyetur se si mund t’i zgjidhin qytetarët çështjen e faturave të larta nga EVN shtojnë si vijon:

EVN Maqedoni ka në dispozicion shërbim onlajn për paraqitjen e konsumit të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve. Shërbimi gjendet në ueb faqen evnonline.mk.

Konsumatorët gjithashtu mund të drejtohen për korrigjim të faturës:

  • përmes e-mailit [email protected]
  • në numrin e telefonit 089 089 089
  • në zyrat e pranimit pranë Qendrave Energo të Konsumatorëve të Elektrodistribuimit.

Konsumin që duhet ta paraqesin, thonë nga EVN, duhet të jetë në tarifë të lartë dhe të ulët.

Ashtu siç edhe nga EVN kanë cekur, një pjesë e qytetarëve nuk kanë opsion tjetër për ngrohje përveç me energji elektrike, madje, edhe vetë institucionet shtetërore, kërkojnë që qytetarët të shmangin ngrohjen me dru ose format të tjera që ndotin ambientin jetësor, megjithatë nuk iu ofrohet ndonjë zgjidhje tjetër. Një iniciativë të disa-vitëshme e ka ngritur Qyteti i Shkupit për subvencionimin e inverterëve, që përsëri nuk mund të zgjidhë problemin e qytetarëve që janë jashtë këtij rajoni. Drutë për ngrohje gjithashtu janë të shtrenjta. Sipas rajonit, një metër dru, varion nga 30 në 55 euro. Ndërkohë, ngrohja me peleta, gjithashtu është bërë e shtrenjtë, mënyrë që nga Qeveria u proklamua si investim ekologjik dhe i lirë. Por, nëse një ton peleta, që nevojiten për ngrohjen e një shtëpie për 3-4 javë dikur kushtonte 180 euro, tani pothuajse është dyfishuar në 360 euro. Krahasuar me standardin e vendit tonë, këto janë shuma gjithsesi janë marramendëse.

Ekipi i Portalbit, sa për krahasim, realizoi bisedë me mërgimtarë të Maqedonisë së Veriut të cilët jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian, e të cilët tregojnë përvojën e atjeshme me energjinë elektrike, që për amvisëritë, siç shprehen ata, nuk ndodh që të paguhen shuma të tilla siç është rasti në Maqedoni. Kjo ndodh edhe për faktin, siç shprehen ata, mundësisë që ua ofrojnë vendet gjegjëse për ngrohje qendrore, gjë që nuk ndodh në Maqedoninë e Veriut, përjashtuar Qytetin e Shkupit.

ZvicërMadin Amiti nga Kërçova i cili jeton dhe vepron në Zvicër thotë se nuk ka ndodhur ndonjëherë që ai të paguaj shuma kaq shumë për rrymë, as edhe për një vit të tërë. Amiti në Zvicër paguan maksimalisht 700 euro shpenzime vjetore për energji elektike dhe është i detyruar të ndihmojnë një pjesë të familjes që jeton në Maqedoninë e Veriut për të paguar shumat marramendëse të rrymës.

Francë Faruk Elezi, i cili braktisi vendin para dy vitesh thotë se në Francë ai paguan 20 deri 30 euro maksimalisht për një muaj.

Itali – “Shumë rrallë paguaj mbi 20 euro rryml në Itali”, thotë Elberie Jashari e cila u detyrua të largohej nga Maqedonia e Veriut për shkaktë kushteve të rënda ekonomike.

Fatura e rrymës për njërin prej muajve në Itali
Fatura e rrymës për njërin prej muajve në Itali

AustriNerihan Aziri, deklaron se paguan maksimalisht 73 euro euro në muaj. Në faturën e njërit prej muajve që na e ka dërguar, ka paguar vetëm 32 euro.

Fatura e rrymës për një muaj në Austri
Fatura e rrymës për një muaj në Austri

Gjermani – Për dallim prej shteteve të sipër përmendura , fatura me çmime pak më ta larta vinë në Gjermani ku konsumatorët paguajnë deri në 120 euro në muaj gjatë sezonit të dimrit, shpjegon Fuat Sherifi nga MV-ja që punon në Koln të Gjermanisë.

Një rregull të ngjashëm si në Maqedoninë e Veriut e kishin pothuajse të gjitha shtetet e sipërpërmendura. Në fund të vitit, nëse konsumatori ka harxhuar më shumë rrymë, paguan për aq sa ka harxhuar. Ndërkohë, nëse ka harxhuar më pak, në vitin pasardhës do të paguante më pak, që me fjalë tjera, këto para kthehen mbrapsht. Megjithatë, ata shprehen se edhe kur kanë harxhuar më tepër se mesatarja, në fund të vitit mund të paguanin midis 200-300 euro, që për siç thonë ata, është e përballueshme me standardin jetësor atje.

Qytetarët në RMV, për shkaqe të ndryshme, shpesh nuk kanë mundësi tjetër përveç ngrohjes me energji elektrike, për çka paguajnë edhe fatura “astronomike”. Gjithashtu monopoli dhe mungesa e konkurrencës ka bërë që qytetarët të marrin fatura më të larta se sa rroga mesatare që aktualisht është 15.200 denarë.
Ky problem me faturat e larta të rrymës, pothuajse çdo vit aktualizohet nga qytetarët e Maqedonisë, të ndodhur në situatë të vështirë ekonomike, me shpenzime të mëdha për jetesë.

Për të shprehur revoltën e tyre, në rrjetet sociale Oda Ekonomike për Energjetikë në Maqedoni ka paralajmëruar protestë më 25 shkurt para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button