Site icon PORTALB

BE dhe G7 me bisedime të reja për krizën në Ukrainë

Ilustrim

Liderët perëndimorë planifikojnë që gjatë ditëve në vijim të diskutojnë për krizën që është nxitur nga grumbullimi i mijëra trupave ruse në kufijtë dhe zonat përreth Ukrainës, raporton REL. Ministria e Jashtme gjermane konfirmoi më 16 shkurt se ministrat e jashtëm të shteteve të Grupit të Shtatëve (G7) do të mbajnë një takim urgjent në Mynih më 19 shkurt.

Bisedimet do të udhëhiqen nga ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock. Këto bisedime do të mbahen në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut, që zhvillohet nga 18 deri më 20 shkurt.

Ndërkaq, liderët e Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë për krizën më 17 shkurt, raporti Reuters, duke cituar zyrtarë të bllokut evropian.

“Liderët do të takohen në Bruksel për samitin e Afrikës dhe ata deshën që të bisedojnë dhe për krizën në kufijtë ukrainas, të përditësojnë të dhënat, të ndajnë informacionet dhe pikëpamjet”, tha një zyrtar i BE-së për agjencinë Reuters.

Rusia ka grumbulluar 150,000 trupa në zonat përreth kufirit me Ukrainën, duke rritur frikën se është duke u përgatitur që ta pushtojë këtë shtet.

Moska në vazhdimësi ka përsëritur se nuk ka plane që ta pushtojë Ukrainën dhe ka thënë se po kryen stërvitje ushtarake në territorin e saj.

Në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Japonia dhe Italia.

Exit mobile version