Site icon PORTALB

RMV, Mariçiq: Interesi ynë në bisedimet me Bullgarinë është mbrojtja e gjuhës dhe identitetit maqedonas

Bojan Mariçiq

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, thekson se interesi i Maqedonisë së Veriut në bisedimet me Bullgarinë është mbrojtja e gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas, por aspirata kryesore e vendit, thekson ai, janë negociatat me BE-në, transmeton Portalb.mk.

Mariçiq emisionin e mëngjesit në Kanal 5 iu referua edhe Marrëveshjes së Prespës, përfitimet e së cilës, siç vlerësoi ai, shihen në veprim dhe Greqia është bërë mbështetëse e jona në BE.

“Interesi i Maqedonisë së Veriut në bisedimet me Bullgarinë është mbrojtja e gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas, por ne jemi të interesuar edhe për fillimin e negociatave me BE-në. Unë mendoj se përmes dialogut ne mund t’i përmbushim të dy interesat”, tha zëvendëskryeministri Mariçiq.

Ai shtoi se dy kryeministrat e rinj të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë tregojnë një dëshirë me energji të re dhe bazuar në mësimet e nxjerra nga vitet e kaluara për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura.

“Ne i kemi shprehur qartë dhe publikisht qëndrimet tona. Kuvendi vendosi një deklaratë të mbështetur nga të gjitha palët, themi se gjuha dhe identiteti maqedonas nuk janë objekt negocimi. Për çështje të tjera që shqetësojnë Bullgarinë, ne jemi të gatshëm të diskutojmë”, theksoi Mariçiq.

Sipas tij, synimi është që të kemi komunikim pozitiv dhe për këtë janë formuar grupet punuese që hapin mundësi dhe projekte për bashkëpunim dhe afrim në disa fusha.

Sa i përket Greqisë, Mariçiq theksoi se tashmë po shënojmë rritje të tregtisë, më shumë udhëtime dhe bashkëpunim më të madh.

“Përfitimet e Marrëveshjes së Prespës shihen në veprim. Greqia ka lobuar për ne që nga viti 2019. Nëse ndjekim diskutimet në Bruksel, ata vazhdimisht po promovojnë integrimin tonë evropian dhe po ndihmojnë që ne të fillojmë negociatat. Ky është thelbi i Marrëveshjes. Unë pres që Bullgaria të bëjë të njëjtën gjë pasi të mbyllim çështjet e hapura dhe të vazhdojmë si miq. Mendoj se është më mirë të shihet përmes hapave konkretë se cili është përfitimi i mbylljes së çështjeve të hapura me fqinjët. Të gjitha alternativat e tjera, përveç BE-së, janë të këqija për vendin dhe se integrimi evropian ka qenë një synim strategjik i vendit që nga fillimi i tij”, tha Bojan Mariçiq.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në rezidencën “Bojana” në Sofje kanë mbajtur seancë të përbashkët, në të cilën, mes tjerash janë nënshkruajtur disa dokumenteve bilaterale. Në kuadër të kësaj, dy kryeministrat e vendit patën takim në katër sy. Kjo seancë e përbashkët vijon pas vizitës së Petkovit në Shkup më 22 janar. Kurse kryeministri i vendit ka takuar edhe presidentin Bullgar.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Dellçevit.

Exit mobile version