RMV, Paditë për shpifje, presionet dhe kërcënimet, si dhe fshehja e informacioneve janë shqetësimet kryesore të ambientalistëve
Frikësimi me padi, shpeshherë për shpifje, kërcënime publike apo të fshehta, shpifje gënjeshtrash dhe histori të fabrikuara, fshehje e informacioneve nga institucionet apo presione nga kompanitë private, janë disa nga problemet me të cilat përballen ambientalistët, aktivistët dhe luftëtarët për të drejtat e njeriut në ambient të pastër jetësor në Maqedoninë e Veriut. Një studim rajonal, i përgatitur nga Qendra për mjedis jetësor nga Banja Luka, në bashkëpunim me ekspertë nga pesë vende, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, analizohen sfidat me të cilat përballen aktivistët nga këto vende në luftën e tyre të përditëshme për ambient më të mirë jetësor, transmeton Portalb.mk.
Në pjesën për Maqedoninë e Veriut, zhvilluar nga Shoqata e juristëve të rinj maqedonas, theksohet se në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka probleme të ndryshme që lidhen me të drejtën e lirisë së shprehjes, kurse në vendin tonë një nga mekanizmat më të përdorur për ushtrimin e presionit janë paditë për shpifje. Ato shpesh promovohen në media për të ushtruar edhe më shumë presion dhe dëm ndaj aktivistëve për publikimin e informacionit për pasojat mjedisore të projekteve të ndryshme dhe mund të shoqërohen me letra nga avokatët që kërkojnë falje dhe deklaratë tërheqjeje. Si shembull, studimi përmend rastin e aktivistëve vendas nga juglindja, të cilët protestuan aktivisht kundër ndërtimit të minierave të bakrit pranë Kazandolit dhe Ilovicës.
Maqedonia e Veriut, së bashku me Bosnjën dhe Hercegovinën, përballet me probleme në lirinë e qasjes në informacion, pasi, edhe pse legjislacioni është shumë i qartë në teori, institucionet nuk arrijnë të ndajnë informacionin në mënyrë proaktive. Në vend, thuhet në raport, ka raste kur informacione jetike, si matjet e përqendrimeve të emetimeve në ajër nga objektet industriale, mbahen nga subjekte private, të cilat nuk janë të përfshira nga detyrimet e parashikuara në ligj, ndaj publiku vështirë arrin te ato ose mund të dyshojë në vërtetësinë e tyre. Raporti thekson se autoritetet në vend shpesh nuk duan të ndajnë informacionin me pretekstin se janë të dhëna sensitive dhe se përballen me përcjellje të vazhdueshme të kërkesave për akses në informacion, me pretendimin se institucioni i caktuar nuk disponon informacionin e kërkuar.
Ambientalistët maqedonas shumë shpesh ankohen se për çështjet lidhur me mjedisin jetësor, shmanget konsultimi publik në nivel të njësisë lokale. Kjo ilustrohet nga rasti kur një pushtet lokal pengoi referendum kundër një miniere bakri, konkretisht minierën e Kazandolit, duke përdorur si justifikim burokracinë e fortë. Në Shqipëri, BiH dhe Maqedoninë e Veriut, aktivistët gjithashtu në një pjesë të madhe u janë nënshtruar presioneve nga kompanitë private të përfshira në projektet që ata kanë kundërshtuar. Aktivistët e të drejtave të njeriut për mjedis të shëndetëshëm jetësor, veçanërisht në BeH, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi përballen gjithashtu me fushata shpifjeje që synojnë diskreditimin e personalitetit, reputacionit dhe punës së tyre. Në vend, aktivistët shpesh akuzohen se mbrojnë ahjendën e një partie politike ose se janë të paguar nga ndonjë investitor.
Studimi nënvizon edhe faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe tonin, në përpjekje për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shpeshherë miratojnë ligje pa adoptuar praktikat e duhura për zbatimin e tyre.
Megjithatë, aktivistët në vend janë në disa aspekte në një pozitë më të mirë se sa homologët e tyre në Ballkan. Derisa në Maqedoninë e Veriut qytetarët janë të lirë të formojnë, anëtarësohen ose largohen nga shoqatat qytetare, në disa vende, siç është Bosnjë dhe Hercegovina, përballen me burokraci të tepruar dhe procedura të gjata regjistrimi, ndërsa përveç kësaj, edhe në BeH dhe Serbi, ligjet gjithashtu parashikojnë disa tarifa për regjistrimin e shoqatave.
Një nga të drejtat më të diskutueshme në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, sipas studimit rajonal, është liria e tubimit. Derisa Kushtetuta e Maqedonisë njeh të drejtën e qytetarëve të mblidhen në mënyrë paqësore dhe të shprehin protesta publike pa njoftim paraprak dhe miratim të veçantë, realizimi i të cilave nuk është penguar ndjeshëm në praktikë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor përballen me legjislacionin që nuk është mjaftueshëm i harmonizuar me standardin ndërkombëtar. Kështu, për shembull, në BeH legjislacioni është shumë kompleks, në Shqipëri ai lë hapësirë për shkelje më të rënda, si procedimet penale kundër aktivistëve që përfshihen në tubime spontane, kurse në Mal të Zi ka dispozita kontradiktore që e lejojnë dhe kufizojnë të drejtën për tubime spontane.