Site icon PORTALB

Mbi empatinë

Besa Arifi

Empatia definohet si aftësia për t’i kuptuar dhe për t’i bashkëndjerë ndjenjat e dikujt tjetër duke e vënë veten në pozitën e një personi tjetër që mund të përballet me vështirësi të ndryshme në jetë. Empatia është aftësia që e bën njeriun të jetë i njerëzishëm, të bashkëndjejë me të tjerët që janë të ndryshëm dhe kanë hallet të ndryshme nga ai. Empatia e bën njeriun t’i kuptojë më mirë të tjerët, të jetë më tolerant dhe përkrahës, të jetë më i njerëzishëm. Fatkeqësisht, empatia nuk është gjithmonë sa duhet prezente tek njerëzimi, prandaj edhe bota është e mbushur me ligësi, me jotolerancë, me mospërkahje, dhe me një sërë sjelljesh të cilat e vështirësojnë veçanërisht jetën e dikujt që mund të jetë ndryshe nga të tjerët.

Fotografia e vogëlushes me sindromën Daun, e vetmuar në klasë, pa fëmijët tjerë që duhej të ishin shokët dhe shoqet e saj, është gjëja më e trishtuar që kam parë këto ditë. Prindërit e bashkënxënësve të saj kanë njoftuar se do ta bojkotojnë mësimin sepse bashkë me fëmijët e tyre mëson edhe kjo vajzë me një kromozom më shumë në përbërjen e saj gjenetike. Pra mes fëmijëve “perfektë” paska një vajzë që sipas kësaj logjike nuk qenka sa duhet “perfekte” për të mësuar bashkë me të tjerët. Prandaj ajo duhet urgjentisht të largohet nga klasa, në mënyrë që fëmijët tjerë “perfektë” të mësojnë të qetë dhe të patrazuar. Nuk ka fare rëndësi nëse mes këtyre fëmijëve “perfektë” rastësisht ka edhe të tillë që shajnë gjithë ditën, që bëjnë plot punë të këqia, që fshehtazi rrihen dhe urrehen me njëri tjetrin. Rëndësi ka se këta fëmijë duken “perfektë” dhe mbi të gjitha nuk kanë kromozome të tepërta në gjenet e tyre shumë të pastra dhe të kulluara.

Dua t’i pyes ata prindër që kanë nënshkruar një peticion të tillë të tuprshëm se a kanë menduar ndonjë herë se çfarë shembulli u japin fëmijëve të tyre dhe me çfarë ndiesish, emocionesh dhe vlerash i rrisin? Dua t’i pyes a janë munduar për një çast ta vendosin veten e tyre në pozitën e vajzës së vogël dhe prindërve të saj të cilët padyshim përballen me ligësi të tilla çdo ditë të jetës së tyre? Dua t’i pyes ata prindër se a nuk mendojnë se në këtë mënyre janë duke i “afëtsuar” fëmijët e vetë që të bëhen shkaktarë të bulizmit të cilët pa dyshim që do të ndikojnë në shëndetin mendor të të gjithë bashkëmoshatarëve të tyre që nuk janë sa duhet “perfektë”, “të fortë” dhe “të popullarizuar”. Dua t’i pyes ata prindër se a janë të vetëdijshëm sa dhimbje krijojnë tek të tjerët duke u bërë shkaktarë që fëmijët e tyre të mos pranojnë të ndajnë ajrin me askënd që mund të jetë i ndryshëm nga ata?

Fëmijëve mund tu mbajmë leksione të shumta, por ata mësojnë nga shembujt që i shohin tek të mëdhenjtë. Nëse do të shohin shembuj bulizmi, ata do të bëhen të tillë. Nëse do të shohin shembuj empatije dhe përkrahje, ata do të bëhen empatikë dhe përkrahës. Nëse do të shohin të rritur që bashkëveprojnë pavarësisht dallimeve mes tyre, ata do të mësohen ti respektojnë dhe ti çmojnë dallimet. Fëmijët tanë do të jetojnë në mjedise ende më komplekse dhe johmogjene ku duhet të mësohen t’i çmojnë dhe t’i përkrahin ndryshimet. Tendenca për të larguar çdo person që mund të jetë i ndryshëm nga fëmijët tanë dhe çdo situatë ku diversiteti vjen në shprehje, do ti bëjë ata fëmijë të mësohen të funksionojnë vetëm në një mjedis homogjen dhe uniform i cili mjedis në botën reale nuk ekziston. Në këtë mënyrë, këta fëmijë do të bëhen të paaftë për tu gjindur në një botë ku ndryshimi, diversiteti dhe inkluzioni janë fjalët kryesore.

Në vend se të krijojmë fëmijë të paaftë për të respektuar dhe vlerësuar dallimet, le të krijojmë fëmijë të cilët në thelb të sjelljes së tyre e kanë empatinë. Fundja të gjithë njerëzit janë krijesa të Zotit, kush jemi ne të bëjmë dallime dhe të lëvdohemi se jemi më të mirë se të tjerët?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version