RMV, Higjiena Komunale vitin e kaluar selektoi vetëm 0,32 për qind nga totali i mbeturinave të grumbulluara në Shkup
Ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” Shkup në vitin 2021 ka arritur të përzgjedhë dhe të grumbullojë 538,8 tonelata mbeturina, ndërsa totali i mbeturinave komunale të grumbulluara është 166.678 tonelata. Kjo do të thotë se nga mbeturinat e grumbulluara prej kontejnerëve kanë arritur të përzgjedhin 0,32%, ndërsa sasia e mbetur ka përfunduar në deponinë e Shkupit “Drisla”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Siç informojnë për Meta.mk nga NP “Higjiena Komunale”, në dy qendrat e tyre në vitin 2021 janë përzgjedhur 5.649 kilogramë PET ambalazhe dhe najlon, 36.570 kilogramë kuti të letrës dhe kartonit si dhe 496.530 kilogramë qelq. Kjo ndërmarrje publike nuk ka licencë për riciklimin, kompostimin dhe djegie të mbetjeve të përzgjedhura, ndaj “Higjiena Komunale” ua shet mbetjet e përzgjedhura kompanive që i trajtojnë ato.
NP “Higjiena Komunale” tash e sa kohë ka vetëm dy qendra për seleksionim dhe deponim të mbeturinave në Karposh dhe Vardarishte, ndonëse vitin e kaluar menaxhmenti i kompanisë paralajmëroi se secila, nga 10 komunat e Shkupit, do të pranojë oborr të veti për riciklim. Mirëpo, kjo nuk është realizuar deri tani.
Sa i përket gjashtë ligjeve të reja, për menaxhim me mbeturinat në vend, me të cilat obligimet e komunave në kryerjen e seleksionimit të mbeturinave janë rritur, nga NP “Higjiena Komunale” thonë që nëse përzgjedhja primare e mbeturinave duhet të fillojë në të gjithë territorin e Shkupit, atëherë duhet të krijohet infrastruktura e domosdoshme.
“NP Higjiena Komunale-Shkup” do të duhet të blejë sasi shtesë të kontejnerëve për përzgjedhje parësore dhe të zgjerojë flotën e automjeteve me mjete të posaçme komunale për këtë qëllim. Kjo duhet duke pasur parasysh se më së shumti bëhet fjalë për amvisëri individuale që janë në rrugë më të ngushta ku duhet të përdorin automjete më të vogla”, thanë për Meta.mk nga kjo ndërmarrje publike.
Megjithatë, problemi kryesor për realizimin e seleksionimit primar dhe dytësor të mbeturinave janë mjetet e mëdha financiare, të cilat Qyteti i Shkupit dhe ndërmarrja publike do të duhet të investojnë në infrastrukturën e Shkupit. Në territorin e Shkupit, për momentin, “Higjiena Komunale” ka vendosur mes 400 deri në 450 kontejnerë për seleksionimin (përzgjedhjen) e mbeturinave.
Aktualisht, seleksionim primar të mbeturinave biologjike e bëjnë amvisëritë në vendbanimin Vlae në Komunën Karposh. Ky pilot projekt do të vazhdojë të realizohet edhe këtë vit, ndërsa plani është që të zgjerohet edhe në lagjet e tjera të Shkupit, por vetëm në përputhje me mundësitë financiare dhe kushtet e NP “Higjiena Komunale”.
Ndryshe, gjendja me përzgjedhjen parësore dhe dytësore të mbeturinave në Shkup pothuajse nuk ka ndryshuar fare në krahasim me vitin 2020. Edhe atëherë të dhënat treguan se NP “Higjiena Komunale” në qendrat e përzgjedhjes së plastikës, letrës dhe xhamit ka përzgjedhur 0,3% të mbeturinave të grumbulluara komunale në Shkup. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e mbeturinave, pra mbi 99 për qind e asaj që mblidhet prej kontejnerëve, përfundon në deponinë Drisla, e cila po mbushet me të shpejtë. Shkupi si kryeqyteti dhe qyteti më i madh në vend e gjeneron sasinë më të madhe të mbeturinave në nivel kombëtar.
Ka kohë që Meta.mk shkruan se ndërmarrjet publike kanë problem për të realizuar përzgjedhjen e mbetjeve parësore dhe dytësore. Vitin e kaluar, ADKOM, Shoqata e Dhënësve të Shërbimeve Komunale, u ankua se vetëm një kosh mbeturinash 120 litra kushton 10 euro, ndërsa ky lloj kontejnerësh për përzgjedhje do të duhet të vendosen nëpër komuna. Ndryshe, në disa komuna shuma e faturave për deponimin e mbeturinave nuk ka ndryshuar tashmë 15 vjet, ndërsa burimet kryesore të financimit të shërbimeve publike vijnë nga arkëtimi i këtyre faturave dhe subvencioneve që marrin nga komunat.
Për dallim nga vendi ynë, në vendet anëtare të BE-së sasia e mbetjeve të përzgjedhura rritet nga viti në vit, por edhe sasia e plehrave që hidhen nëpër deponi. Në nivel të BE-së, vetëm rreth gjysma e totalit të mbetjeve të gjeneruara përfundon në deponi, ndërkohë pjesa e mbetur riciklohet, kompostohet ose digjet në inceneratorë.